Politikë

Arrestimi i Ermal Beqirit në Francë, Berisha: SPAK të zbulojë nëse kështjella është e tij apo e Edi dhe Olsi Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një deklarate për mediat jashtë ambienteve të SPAK-ut, komentoi arrestimin e Ermal Beqirajt në Francë dhe pasuritë e sekuestruara apo të zbuluara nga autoritetet franceze, mes të cilave ka tërhequr vëmendjen një kështjellë.

Duke folur për këtë çështje, Berisha hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe vëllait të tij, Olsi Rama, duke ngritur dyshime se pasuritë e konsideruara si përrallore mund të jenë krijuar me fondet e shqiptarëve dhe të lidhen me njerëz pranë pushtetit.

Sipas kreut të PD-së, hetimet duhet të sqarojnë pronësinë e këtyre pasurive, ndërsa ai pretendoi se kryeministri nuk do të pranonte që persona të tjerë në rrethin e tij të zotëronin pasuri të tilla.

“Hetimi duhet të jetë: kështjella a është e Ermal Beqirajt apo e Edi Ramës dhe Olsi Ramës. Ai kishte kështjellë, jahte e avionë. Rrogat e pensionet e shqiptarëve janë vjedhur dhe shndërruar në pasuri përrallore nga Ermal Beqiri. Megjithatë hetimet do tregojnë se kështjella mund të jetë e Edi Ramës, sepse ai nuk do toleronte në rrethin e tij kështjellarë të tjerë veç vetes së tij,” u shpreh Berisha.

Një kështjellë me vlerë rreth 2.6 milionë euro, 2 apartamente, llogari bankare me mbi 2 milionë euro dhe mjete motorike janë disa nga pasuritë e identifikuara në Francë që sipas SPAK i përkasin biznesmenit Ermal Beqiri, në kërkim nga SPAK për abuzimet me tenderët e AKSHI-t.

Vetëm pak ditë pas arrestimit të Beqirit në Francë teksa fluturonte me një avion të vogël mbi një central bërthamor, SPAK ka dalë me njoftim zyrtar dhe bën me dije se për të gjitha pasuritë që i janë zbuluar biznesmenit, është kërkuar sekuestro.

Kështjella, e quajtur Château d’Auteuil, rezulton me një sipërfaqe prej 1200 metrash katrorë, daton prej shek. XVI. Ajo ndodhet në komunën Berneuil-en-Bray, në departamentin Oise, rreth një orë larg Parisit. Kompleksi është i rrethuar nga park dhe gardh mbrojtës, ndërsa fasadat dhe çatitë gëzojnë statusin e monumentit historik të mbrojtur nga shteti francez. Sipas regjistrave francezë, më 30 dhjetor 2024 Château d’Auteuil u shit për 2.612.200 euro, e cila përputhet me atë të përmendur nga SPAK, ashtu si edhe vendndodhja në Oise, që prokuroria gjithashtu e citon. Në faqen zyrtare të kësaj rezidence, figuron emri i biznesmenit.

Vendosja e Beqirit në Francë, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga SPAK nuk duket e rastësishme. Në këtë shtet ai ka kaluar shumë vite të jetës së tij, fillimisht si student. Madje pavarësisht sekuestros së gjithë pasurive që dispononte në Shqipëri, Beqiri ka arritur të krijojë paralelisht një perandori financiare në shtetin francez. Pikëpyetjet janë ende se si ka arritur biznesmeni që të transferojë paratë atje.