Aktualitet

Dhëndri i Tom Doshit bos i Brunes dhe El Chapo shqiptar, dy të ndaluarit pas të shtënave në jaht

Mbrëmjen e së dielës u raportuan të shtëna me armë zjarri nga një jaht që lundronte në zonën e Palasës, ngjarje që vuri në lëvizje Policinë Kufitare, Delta Force dhe FNSH. Pas një ndjekjeje rreth dy orëshe nga deti dhe toka, autoritetet arritën të ndalonin mjetin lundrues, i cili po lëvizte në drejtim të Himarës. Në bordin e jahtit u shoqëruan katër persona: Bruno Çela, 31 vjeç, Leonard Hasa, 31 vjeç, Afrim Kastrati, 49 vjeç dhe Pashk Gjini, 60 vjeç. Gjatë kontrollit të jahtit dhe personave, policia deklaroi se nuk u gjet asnjë send apo mjet i kundërligjshëm, ndërsa ende nuk është përcaktuar se kush ka përdorur armën.

Mes personave të ndaluar është Bruno Çela, djali i biznesmenit Geront Çela, pronarit të kompanisë “Brunes”, e njohur për tregtinë e pllakave dhe pajisjeve hidrosanitare. 31-vjeçari rezulton aksioner në disa kompani, mes tyre “MennYacht Albania”, që operon në fushën e mjeteve lundruese, “AKBC Invest” dhe “BB Orikum Invest”, të lidhura me ndërtimin dhe menaxhimin e strukturave turistike, si dhe te “Vlora Marina”. Në vitin 2023, Bruno Çela u martua me Briana Doshin, vajzën e deputetit Tom Doshi, ndërsa është futur edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës si pjesë e listës së PSD-së.

Sipas hetimeve paraprake, jahti fillimisht kishte marrë drejtimin për në Greqi, por më pas ndryshoi kurs dhe, gjatë ndjekjes nga policia, fiku dritat për t’iu shmangur autoriteteve. Njëri prej personave në bord u hodh në det dhe u kap nga Policia Kufitare, ndërsa dy të tjerë tentuan të largoheshin me gomone drejt bregut, por u kthyen pasi panë praninë e efektivëve. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e të shtënave dhe për të përcaktuar autorin e përdorimit të armës.