Prestanomja i familjes Rama me kështjellë 2.6 mln euro në Francë, llogari 2 mln euro, apartamente e mjete motorike, SPAK kërkon sekuestron e pasurive, dyshime se kështjella e Ermal Beqirit është pronë e maskuar e kryeministrit
Prokuroria e Posaçme (SPAK) i ka dhënë një goditje të fortë strukturës financiare që lidhet me aferat e tenderëve publikë, duke kërkuar sekuestrimin e një perandorie pasurish në Francë të biznesmenit Ermal Beqiri, i konsideruar si prestanoma e lidhjeve me familjen kryeministrore. Në qendër të këtij super-skandali është blerja e një kështjelle përrallore të shekullit XVI në Francë, “Château d’Auteuil” në departamentin Oise, me vlerë 2.6 milionë euro, e cila dyshohet fort se është një pronë e maskuar e vetë kryeministrit Edi Rama. Përveç kështjellës 1200 metra katrorë të rrethuar nga një park gjigant, Beqirit i janë identifikuar dhe kërkuar për t’u sekuestruar mbi 2 milionë euro në llogari bankare franceze, dy apartamente luksoze, mjetet motorike, si dhe pasuri të shumta në Shqipëri, përfshirë një jaht luksoz “Predator 50 Skyfall”, vila në “Rolling Hills” dhe troje në resortin “Green Coast”.
Rrjeti i kompanive, “baxhanaku” dhe grabitja e miliona eurove nga AKSHI
Por arrestimi i Beqirit nga forcat ajrore franceze teksa fluturonte mbi një central bërthamor me pajisje gjurmuese Apple AirTag në trup, ka zbërthyer skemën e transferimit të miliona eurove të përfituara nga tenderët e AKSHI-t. I gjithë ky aksion hetimor nxjerr në dritë se si Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është kthyer në një meke të abuzimit financiar përmes konkurrencës fiktive dhe kërcënimeve. Beqiri, pronar i “Soft & Solution” dhe krahu i djathtë i biznesmenit në arrati Ergys Agasi, akuzohet se ka përfituar dhjetëra miliona euro përmes presioneve ndaj kompanive rivale. Hetimet dhe denoncimet e bëra publike faktojnë lidhjen e ngushtë mes kompanive si ABS, B360, AIBS dhe SIRMA, të cilat kontrollohen nga Gerond Meçe dhe Armand Frangu, ky i fundit baxhanaku i kryeministrit Edi Rama. Përmes kësaj skeme, ku kompanitë e të njëjtit rreth interesash ndajnë të njëjtat adresa te “Torre Drin” dhe marrin pjesë fiktivisht në garë për të simuluar konkurrencë, janë përfituar mbi 53 milionë euro nga paratë e taksapaguesve.
Vetëm kompania ABS ka parë një rritje marramendëse nga 131 milionë lekë në vitin 2012, në mbi 1.8 miliardë lekë xhiro sot, ku mbi 35 milionë euro janë derdhur drejtpërdrejt nga thesari i AKSHI-t. Në prapaskenën e këtij rrjeti, Ermal Beqiri figuron de facto si bashkëpronar i kësaj perandorie me baxhanakun Armand Frangu, duke shërbyer si ura kryesore lidhëse financiare. Pas çdo pasurie përrallore të regjistruar në emër të Beqirit, dyshimet e hetuesve dhe opozitës çojnë drejtpërdrejt te vetë kryeministri Edi Rama si përfituesi final i kësaj skeme korruptive. Madje akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Rama së është përfshirë në aferën e AKSHI-t hodhi edhe ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj. “Doni fakte, doni oborrin e familjes së Edi Ramës. Meqë është futur tek familja ime, kanë kaluar derën në mënyrë të paligjshme.
Shumë e kollajtë është të futesh brenda shtëpisë së një burri, nuk e di sa kollaj është të dalësh. Ja AKSHI ku është. Ka 8 muaj që investigohet, është bërë një përgjim ambiental që është në SPAK, edhe mund ta zhdukin, por dikush e ka tjetër. Dikush e ka, dhe ai dikush më ka garantuar se një kopje e saj, është në një kuti. Kanë bërë përgjim ambiental ku është përfshirë familja e kryeministrit tek AKSHI. 43 mln nëpërmjet prestanomeve. I është përmendur emri për shumë, shumë gjëra në atë përgjim ambiental. Nuk janë thashetheme. Dhe që atë ditë, ABS që ka qenë një prestanome e njerëzve të afërt të kryeministrit, prestanome, që ka marrë 43 mln, që është rritur në mënyrë të papritur, ju këput filli trak. Pse, se u thërrit në SPAK dhe deponoi. U thërrit në SPAK dhe deponoi.
Çfarë ka thënë në SPAK unë e di. Me siguri edhe kryeministri e di. Deri sa e di unë, sigurisht që e di dhe kryeministri. Këtu janë 43 mln. Dhe tani është në kontroll të dikujt tjetër. AKSHI është tmerr. Danieli është kërcënuar. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë që të mbylli gojën. Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Le të dalë e të bëjë batuta, jo tha…”, deklaroi disa muaj më parë ish-kryeministri Ahmetaj. Megjithatë hetimet e SPAK-ut dhe kërkesat zyrtare për ekstradim dhe sekuestrim ndërkombëtar pritet të zbardhin përfundimisht se si paratë e korrupsionit shtetëror u konvertuan në kështjella e pasuri përrallore në zemër të Evropës, ku të gjitha detajet e këtij operacioni kompleks janë dokumentuar zyrtarisht në komunikim intensiv mes drejtësisë shqiptare dhe asaj franceze.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryhen hetime për llogari të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, për llogari të të cilit, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit E.B, si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, për kryerjen e veprave penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.
Ndaj personave nën hetim dhe konkretisht shtetasve E.A dhe E.B. me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme te Shkalles se Pare Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për tu ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025. Me shkresën nr. 43981 prot, datë 24.12.2025, nga ana e Prokurorisë së Posaçme, i është kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Zyrës Qendrore Kombëtare, Interpol Tirana, shpallja në kërkim ndërkombëtar të këtyre shtetasve ndaj të cilëve ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale. Shpallja në kërkim ndërkombëtar është pasqyruar edhe në database të Interpol Tirana me “njoftim të kuq” (red notice). Më datë 19 qershor 2026, Prokurorët e Posaçëm të SPAK, kontaktuan Shërbimin e Sigurisë së Brendshme (SSI) në Tiranë për të kërkuar mbështetjen e autoriteteve franceze në gjetjen e shtetasit E. B, në kushtet kur nga informacioni i disponuar dyshohej se ky shtetas ndodhej në territorin e Republikës Franceze.
Në momentin e kësaj kërkese, shtetasi E.B ishte subjekt i një “Njoftimi të Kuq” (Red Notice) të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të autoriteteve gjyqësore shqiptare për qëllime arrestimi dhe ekstradimi. Pas marrjes së kësaj kërkese, SSI kontaktoi menjëherë Drejtorinë Kombëtare të Policisë Gjyqësore (DNPJ) Franceze, duke mundësuar fillimin e menjëhershëm të hetimeve në territorin francez. Po atë ditë, u vendos një bashkëpunim i ngushtë me Zyrën Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO). Hetimet fillestare sugjeronin se E.B. ndodhej në Francë, gjë që përputhej me informacionin e dhënë nga Prokurorët e Posaçëm të SPAK-ut. Hetimet e mëtejshme nga autoritetet franceze e konfirmuan këtë informacion dhe identifikuan disa asete me origjinë kriminale të ndodhura në Francë, veçanërisht llogari bankar me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente , u evidentua blerja e një kështjelle në departamentin e Oise (60) rreth 2.6 milion euro, mjete motorike, etj. Për këto asete si dhe për të tjera të cilat do të rezultojnë nga hetimet e mëtejshme, i është dërguar kërkesë për ndihmë juridike autoriteteve gjyqësore franceze me qëllim sekuestrimin e tyre.
Këto hetime, të kryera nga Brigada Kombëtare e Kërkimit të Personave në Kërkim (BNRF), çuan gjithashtu në zbulimin e automjeteve që mund të ishin përdorur nga personi në kërkim dhe lejuan që operacionet në terren të përqendroheshin më saktësisht në atë zonë gjeografike. Njëkohësisht, u angazhua Zyra Qendrore për Luftën kundër Krimit të Rëndë Financiar (OCRGDF) për të kryer hetime financiare lidhur me asetet kriminale të identifikuara në Francë dhe për të përgatitur — në koordinim me autoritetet gjyqësore franceze dhe shqiptare masa sekuestrimi që do të zbatoheshin në kuadër të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar. Që nga data 19 qershor 2026, shkëmbimet operacionale midis Shërbimit të Sigurisë së Brendshme (SSI), magjistratit ndërlidhës dhe shërbimeve të policisë gjyqësore kanë qenë të vazhdueshme.
Ky koordinim i përditshëm ka mundësuar shkëmbimin e shpejtë të informacionit dhe përshtatjen e vazhdueshme të hetimeve. Më datë 24 korrik 2026, shtetasi E.B u arrestua nga autoritetet ligjzbatuese franceze pasi hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar të centralit bërthamor të Penly-t (Seine-Maritime) dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it (Somme). Gjykata franceze urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të tij, për qëllim ekstradimi drejt Republikës së Shqipërisë. Hetimet gjyqësore po kryhen tani nga njësi të specializuara të Drejtorisë Kombëtare të Policisë Gjyqësore, në bashkëpunim me SPAK-un. Hetimet financiare po zhvillohen paralelisht për të mundësuar sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale të identifikuara në territorin francez, në kuadër të mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar gjyqësor. Me kërkesë te Prokurorisë së Posaçme autoritetet franceze kane kryer kontrollin personal si edhe të disa ambienteve në pronësi të shtetasit E.B., ku janë sekuestruar sende qe vlerësohen me interes për procedimin penal.
Nga ana e Prokurorisë së Posaçme i është dërguar Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, për ti përcjellë autoriteteve kompetente të Republikës së Francës, kërkesa për ekstradimin nga Republika e Francës në Republikën e Shqipërisë së shtetasit E.B. Prokuroria e Posaçme gjen rastin të falënderojë për bashkëpunimin; Policinë e Shtetit, ZQK Interpol Tirana, Shërbimin e Sigurisë së Brendshme (SSI) në Ambasadën Franceze në Tiranë, Drejtorinë Kombëtare të Policisë Gjyqësore (DNPJ) Franceze, Zyrën Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO) në Francë, Brigadën Kombëtare të Kërkimit të Personave në Kërkim (BNRF) Francë si dhe Magjistratin ndërlidhës të Republikës së Francës, i cili siguroi komunikimin e rrjedhshëm midis autoriteteve gjyqësore franceze dhe shqiptare dhe kontribuoi në ndjekjen e vazhdueshme të procedurave.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë”, njoftoi këtë fundjavë SPAK gjatë një deklarate të shpërndarë për mediat.

