Politikë

Berisha shpërthen ndaj Klosit në Kuvend: Të ka dhënë ndonjë kockë Rama, Për bixhoz shet gjithçka!

Seanca plenare e kësaj të enjteje u shoqërua me një përplasje të fortë mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe deputetit socialist Blendi Klosi.

Nga foltorja e Kuvendit, Berisha hodhi akuza të forta ndaj Klosit, duke pretenduar se ai mbron kryeministrin Edi Rama për interesa personale dhe duke përdorur një gjuhë të ashpër në adresë të deputetit socialist.

“Mblidhini letrat e bixhozit. Përfaqësoni shembullin më të keq të abuzimit me paratë e shqiptarëve, McGonigal, skandalin dhe përpjekjen kundër opozitës, lubinë dhe 320 apartamentet e saj. Edhe ti duhet të jesh aty (Klosit). Të ka dhënë ndonjë kockë aty, se të pëlqen bixhozi. E njoh atë. Ai nuk ka kufijë. Për bixhoz shet gjithçka. Përfaqëson avokatinë më të shëmtuar ndaj qytetarëve shqiptarë pasi i përzutë jashtë. Bixhozi yt ka një aksion të vogël, ndaj del këtu dhe bën avokatinë e Edi Ramës. Një njeri që është damkosur sot botërisht. Ai është njeriu më i damkosur.”, u shpreh Berisha.

Kreu i demokratëve vijoi kritikat ndaj Klosit, duke deklaruar se ai po bën, sipas tij, “avokatinë më të shëmtuar” të qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama.

Nga ana tjetër, Blendi Klosi zgjodhi t’i përgjigjej shkurt akuzave të Berishës, duke thënë se ai ka vite që mban të njëjtin qëndrim në Kuvend.

“Nuk kam asgjë për të thënë, por iu drejtohem kolegëve të opozitës që e mbajnë ende lider, ka 35 vite në Kuvend ende nuk i ka ikur ndjesia e Sekretarit të partisë. Ka ardhur në sallë dhe ka bërë të njëjtën gjë 35 vite, unë i them ke vrarë njerëz në bulevard, ke qëlluar mbi protestuesit, ai tregon përralla. Për ne le të vijojë sepse votat na shtohen.”, tha Klosi.