LifeStyle

Dita e fundit e Mërkurit në retrograd! Parashikimi i Horoskopit nga Meri Gjini: Nga e shtuna ndryshon gjithçka

Astrologia Meri Gjini ka bërë parashikimin e horoskopit në emisionin “Mes’dritë”, në Vizion Plus, me dyshen e moderatorëve Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova.

Sot është dita e fundit e Mërkurit në prapavijë, i cili ka sjellë ngarkesa, shqetësime dhe ngecje. Ndonëse nesër Mërkuri kthehet në pozicion të drejtë, vonesat do të vazhdojnë edhe pak nesër dhe pasnesër, sepse ndryshimi i pozicionit është i ngadaltë.

Dielli sapo ka hyrë në shenjën e Luanit, gjë që mund të shkaktojë pak nervozizëm për momentin, por në fakt është një hyrje shumë e bukur. Kjo lëvizje shpërndan gëzim, ngjyra dhe pak egocentrizëm, duke na ftuar të shijojmë verën. Nga dita e nesërme, ritmi do të përshpejtohet dhe e përditshmja do të jetë më produktive. Ky Diell, së bashku me Jupiterin, favorizon rezultatet e shpejta, argëtimin, pushimet dhe jetën sociale.

Dashi

Ka ardhur momenti të shihni më bukur jetën personale dhe ta ndërtoni atë. Bashkimi i Diellit me Jupiterin favorizon njohjet e reja, zgjerimin social, diskutimet dhe udhëtimet. Është koha e duhur për të rregulluar çdo problematikë në jetën tuaj private.

Demi

Duhet të merreni me mbylljen e shqetësimeve që keni pasur në lidhje me punën, veten dhe shtëpinë. Kjo fundjavë është ideale për të pushuar, për të rikuperuar energjitë dhe për të gjetur qartësi në strukturimin e profesionit dhe shëndetit.

Binjakët

Mërkuri kthehet në të drejtë, por ngërçin në komunikim do ta ndjeni edhe për pak kohë. Sqarimet lërini për ditën e diel e në vazhdim. Urani sjell transformime dhe mundësi të reja që nuk i keni menduar, nëse ju propozohet diçka, thuani “po”. Puna do të bëhet më e lehtë dhe do të keni mbështetje nga të tjerët.

Gaforrja

Po mbyllni çështjet që ju kanë impenjuar dhe nga nesër do të lini pas shqetësimet. Ky pozicion i Diellit dhe Jupiterit ju jep paqe, qetësi dhe kthjelltësi mendimi. Do të ndiheni më optimistë, të sigurt dhe do të merrni vlerësimin e duhur kudo që të jeni.

Luani

Gëzuar ditëlindjen! Shfrytëzojeni këtë moment, sidomos ata që kanë lindur në datat 25, 26 dhe 27 korrik, pasi keni një mbështetje planetare që vjen rrallë. Planifikoni gjërat e rëndësishme nga e diela deri të mërkurën. Do të jeni selektivë me njerëzit, por bëni kujdes me menaxhimin e parave deri në fund të muajit.

Virgjëresha

Është momenti i duhur për të nisur pushimet. Largimi nga zhurma do t’ju ndihmojë të shihni zgjidhjet më të sakta për zhvillimin tuaj. Ky zhvillim duhet të jetë i ngadaltë dhe kërkon një strategji të mirëmenduar, diçka që është në natyrën tuaj.

Peshorja

Po filloni të gëzoheni përsëri si fëmijë. Edhe pse keni ngarkesë në punë, do të jeni të qeshur dhe pozitivë. Ky muaj do të jetë i shkëlqyer për prodhimtari, argëtim dhe udhëtime, pa humbur objektivin kryesor që është zhvillimi profesional.

Akrepi

Ndonëse pozicioni i Diellit në Luan nuk është shumë komod për ju, do të ndjeni rritje të vetëbesimit dhe sigurisë. Komunikimi përmirësohet nga e diela. Rezultatet në profesion mund të kërkojnë pak më shumë kohë dhe durim (deri rreth mesit të gushtit), ndaj përdorni strategji dhe jo nxitim.

Shigjetari

Jeni në një pozicion fantastik. Do të ndiheni më solarë, të qeshur dhe situatat në punë do të lehtësohen. Rutina juaj do të jetë më e qartë dhe e qetë. Kjo është një periudhë shumë e mirë edhe për jetën personale, ndryshime statusi apo hapa më të lartë në marrëdhënie.

Bricjapi

Mund të ndjeni pak nervozizëm sot dhe nesër, por nga e shtuna humori juaj do të përmirësohet ndjeshëm. Në punë duhet të jeni selektivë me bashkëpunimet. Zgjidhni me kujdes njerëzit me të cilët keni “kimi” për të arritur rezultatet që prisni.

Ujori

Jupiteri përballë jush do t’ju bëjë të ndjeni sikur keni një “dorë” që ju ndihmon atëherë kur gjërat duken të vështira. Edhe pse axhenda nuk varet plotësisht nga ju, rrjedha e gjërave do të jetë në shërbimin tuaj. Do të lini pas shumë shqetësime që ju kanë munduar që nga fundi i majit.

Peshqit

Mërkuri mund t’ju shkaktojë pak nervozizëm dhe ngarkesë emocionale sot e nesër. Megjithatë, mos e humbni optimizmin. Nga e shtuna, humori dhe vëmendja e të tjerëve ndaj jush do të ndryshojnë për mirë. Gjërat do të fillojnë të lëvizin më shpejt dhe më bukur.