Sport

Dështimi i radhës, legjenda e Brazilit kërkon shkarkimin e Ançelotit: Unë do ta kisha çuar në ferr

Dështimi i Brazilit në Kupën e Botës 2026, pas gjithë zhurmës mediatike që u bë rreth ekipit dhe shanseve të tij për të fituar turneun, ka vendosur në shënjestër sidomos një person, trajnerin Karlo Ançeloti. Trajneri italian u afrua me shumë bujë, paguhet si askush tjetër në botë, por nuk arriti të ndihmonte Brazilin, përkundrazi, pa se si skuadra dhuroi shumë pak nga ajo që pritet nga një përfaqësuese e tillë.

Ndaj në Brazil kanë nisur të përhapen zërat e pakënaqur që kërkojnë largimin e tij dhe atyre u është bashkuar një nga legjendat e mëdha të futbollit në këtë vend, ish-sulmuesi i njohur Romario. Ai ka bërë të qartë se sipas tij, Ançeloti nuk mund të vazhdonte më në pankinën e ekipit pas këtij dështimi epik.

“Ai nuk mund të vazhdojë më si trajner i Brazilit, nuk ka absolutisht asnjë mundësi. Nëse do të isha në krye të federatës, do të kisha hyrë në dhomat e zhveshjes, do t’i kisha thënë të shkonte në ferr dhe do t’ia kisha ndërprerë kontratën menjëherë. Ndeshja kundër Norvegjisë ishte një turp, madje do ta çoja në gjyq.

Nuk e di se çfarë po përpiqej të arrinte: ai e largoi Bruno Gimaraesh për të vendosur Ederson në pozicionin e mbrojtësit të krahut sepse nuk thirri askënd tjetër. Një mbrojtës i krahut dëmtohet dhe ai thërret një qendërmbrojtës? Edhe nëse e pranon se mungojnë opsionet, a nuk ka ndonjë më të mirë se Ederson në atë pozicion?”, tha Romario në sulmin e tij kundër Ançelotit.