Politikë

“Kam qenë grua e pavarur”/ Zbardhen debatet e plota të Kryemadhit në gjykatë: Kam bërë çfarë më donte qejfi, jo çfarë donte Meta

Zbardhen debatet e plota të zhvilluara në seancën e kësaj të enjteje në Gjykatën e Posaçme, ku ish-deputetja Monika Kryemadhi u përplas me prokurorin e SPAK, Sotir Kllapi, lidhur me provat e administruara nga organi i akuzës.

Kryemadhi kërkoi pavlefshmërinë e provave të marra nga telefoni celular që iu sekuestrua gjatë kontrollit në banesë, duke pretenduar se nuk mund t’i nënshtrohej një kontrolli të tillë pa autorizimin e Kuvendit, pasi në atë kohë gëzonte statusin e deputetes.

Ajo kërkoi gjithashtu që SPAK t’i vinte në dispozicion të gjitha procesverbalet dhe aktet e ekspertimit të telefonit, duke pretenduar se nuk i janë dorëzuar të gjitha provat mbi të cilat është ngritur akuza.

Nga ana tjetër, prokurori Sotir Kllapi u përgjigj se të gjitha aktet procedurale dhe procesverbalet ndodhen në fashikujt e dosjes që i janë vënë në dispozicion gjykatës, duke shtuar se telefoni ishte gjetur në banesën e Fatime Kryemadhit dhe, në momentin e sekuestrimit, nuk dihej se i përkiste Monika Kryemadhit.

Debati u ashpërsua edhe më tej kur ish-deputetja e cilësoi akuzën e ngritur ndaj saj si “seksiste”, duke pretenduar se SPAK po përpiqet ta paraqesë si një person që vepronte vetëm sipas udhëzimeve të Ilir Metës.

Më poshtë janë debatet e plota të zhvilluara në sallën e gjyqit:

Monika Kryemadhi: Do doja që SPAK të na vinte në dijeni për procesverbalin dhe çfarë vëzhgimi është bërë në telefonin e sekuestruar. E kemi kërkuar në të gjitha seancat. Mua më është mohuar e drejta për të qenë e barabartë në gjykim nga organi hetues. Kam firmosur vetëm procesverbalin e marrjes së 5 disqeve. Në to nuk ekziston, madje në diskun 3 janë disa file që nuk hapen. Ky telefon mbi të cilin është ngritur akuza, mbi çfarë ekspertimi është kryer? Këtë gjë nuk e kam në dosje, kur është ekspertuar, nga kush, çfarë është përftuar dhe mbi çfarë vendimi.

Sotir Kllapi: Të gjitha aktet e ekspertimit për të gjithë telefonat, jo vetëm ai telefon që i referohet e pandehura, janë në fashikullin 62. Në fashikullin 63 janë dy procesverbale të këqyrjes me të gjitha të dhënat. Janë dy procesverbale, jo një. Ne nuk e dinim që ky telefon ka qenë i znj. Kryemadhi, sepse telefoni është gjetur në banesën e Fatime Kryemadhit. Ne do të mbajmë një qëndrim më të plotë në seancat në vijim. Si provë ka numrin 348.

Mbrojtja: Nuk jemi njoftuar, ndryshe nga veprimet e tjera për të cilat jemi njoftuar dhe kemi firmosur. Nëse është marrë një vendim procedural, si në rastin kontabël apo për telefonin, duhet të ishte marrë një vendim që palët ta firmosnin. Pse nuk jemi njoftuar sipas procedurës penale, ku kemi të drejtë të mbajmë qëndrim? Të na e japë organi i akuzës dhe ne do të mbajmë qëndrimin tonë. Realisht nuk janë dorëzuar provat. Edhe sot kemi prova të pamarra. Nëse SPAK është i qartë për vendimet që ka marrë, ne në këtë fazë nuk jemi. Do të kishim edhe të drejtën për të bërë memo, por nuk kemi provat. Të na vihen në dispozicion provat dhe aktet procedurale, që edhe ne të dimë ku të fokusohemi.

Monika Kryemadhi: Marrim një provë dhe del provë tjetër. E para, akuza është shumë seksiste sipas meje. Pretendon se Monika Kryemadhi në çdo aspekt bënte çfarë kërkonte bashkëshorti, ndërkohë unë kam bërë çfarë më ka dashur qejfi. Me Edi Ramën kam komunikime pa fund, madje edhe bisedat me Pirro Xhixhon i kam njëherësh me Edi Ramën. Organi i akuzës nuk ka denjuar ta marrë në pyetje Edi Ramën, ta pyeste nëse i ka shkuar Kryemadhi apo Meta dhe nëse i kanë kërkuar diçka për Adrian Shatkun. Pse qenka bashkëpunim Ilir Meta me Kryemadhin, kur nuk qenka Edi Rama me Aleksandër Meksin dhe Sali Berishën? Bashkëpunimi me Ilir Metën nuk është provë shkresore. Bashkëpunimi me Ilir Metën kanë qenë vetëm tre kalamajtë. Mesazhet me Edi Ramën kanë qenë biseda për AKEP-in me Kryemadhin. Pse nuk i merr SPAK mesazhet ku Rama i kërkonte Kryemadhit mbarëvajtjen e marrëveshjeve për Lezhën, Hipotekën, Vlorën? Pse nuk ka marrë Taulant Ballën? Mesazhet në adresë zyrtare me Engjëll Agaçin. Prandaj them se është një akuzë seksiste, që do të thotë se kam qenë e varur nga Ilir Meta. Por jo, kam qenë e pavarur.

Redi Llanaj, avokat i Kryemadhit: 3 herë SPAK tha se nuk ka korrupsion me biznesmenin për çështjen e banesës, por sqaroi se ka marrëdhënie korruptive. Marrëdhënia miqësore konsiderohet nga organi procedues marrëdhënie korruptive. Sqarojmë se të pandehurit e kanë pranuar edhe vetë që kanë miqësi, marrëdhënie njohjeje të hershme miqësore. Janë lënë disa detyra nga gjyqtari i seancës paraprake për moskoherencën e hetimit. Mendoj se nuk janë gabime, por paragjykime. Ligjërisht, kërkesa është shkruar nga 3 prokurorë; de facto është vetëm një prokuror, Altin Dumani. Drejtues ishte edhe Arben Kraja, por Arben Kraja është Arben Kraja, nuk u përdor si vegël.

Ndërhyn gjykata për prishje të solemnitetit dhe shkelje etike.

Llanaj: “Vegël” s’është gjuhë fyese, është instrument, nënkupton një instrument. Është e qartë, këtu ka një çështje politike, ndaj mbrojtësi përdori fjalën “vegël”. Kemi qenë, që nga fillimi i procedimit, të gatshëm. Kemi kontestim për aktet dhe pajisjet elektronike të gjetura në banesën e Kryemadhit. Është ushtruar kontroll dhe janë gjetur 6 telefona, ndërsa për 1 telefon është thënë se është i Kryemadhit.

U mor ky telefon, u ekstraktuan të dhënat dhe u nxorën ato materiale që janë pjesë e procedimit, duke i nxjerrë nga konteksti të dhënat. Kërkojmë papërdorshmërinë absolute të të gjitha të dhënave të ekstraktuara nga telefoni i Kryemadhit. Të bëhet një ekspertim dhe të bëhet krahasim me materialet që janë nxjerrë nga konteksti.

Kryemadhi: Doja të filloja me një kërkesë paraprake për pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e të dhënave të telefonit. Kam bërë kërkesë, por ma kanë rrëzuar kërkesën për kthimin e sendeve dhe të telefonit. Gjyqtari e ka rrëzuar kërkesën me argumentin se telefoni nuk është i imi. Kështu e ka rrëzuar edhe Apeli.

Dhe prokuroria pretendonte se nuk është i imi, sepse është gjetur në banesën e Fatime Kryemadhit. Në momentin kur telefoni u ekspertua, në vitin 2023, unë isha deputete dhe organi i akuzës nuk mund të vinte për të bërë kontroll.

Organi i akuzës e dinte shumë mirë që jetonim në një shtëpi. E di shumë mirë që kontrolloi dhomën time të gjumit, edhe pse në hipotekë ishte e Fatimes. Në këto vendime thuhet se telefoni nuk është i imi, ndërsa 190 faqe të akuzës bazohen në këto mesazhe. Nëse është i Fatime Kryemadhit, të vijë ajo të sqarojë mesazhet me Vali Bizhgen, Albana Shtyllën, Engjëll Agaçin etj.