Kulturë

Dy vjet pa Ismail Kadarenë, por me një trashëgimi që nuk resht së jetuari

Më 1 korrik 2024 u shua fizikisht shkrimtari më i madh shqiptar, por zëri i tij vijon të jehojë në letërsinë botërore. Në përvjetorin e dytë të ndarjes nga jeta, lexuesit marrin edhe një dhuratë të rrallë: tre vepra të pabotuara më parë si libra më vete.

Ka shkrimtarë që ikin me kohën dhe ka të tjerë që e mundin atë. Ismail Kadare i përket kësaj kategorie të rrallë. Dy vjet pas largimit të tij fizik, emri i shkrimtarit më të madh shqiptar mbetet po aq i pranishëm sa dikur, në raftet e librarive, në bibliotekat e botës, në auditorë, në bisedat për letërsinë dhe në kujtesën e një kombi që ai e bëri të fliste në gjuhën e letërsisë universale.

Mëngjesin e 1 korrikut 2024, Ismail Kadare u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak. Lajmi tronditi jo vetëm Shqipërinë, por edhe botën letrare ndërkombëtare. Homazhet në Pallatin e Kongreseve, dita e zisë kombëtare dhe mesazhet e personaliteteve nga e gjithë bota dëshmuan se ishte shuar jo vetëm një shkrimtar, por një prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore.

Kadare ishte autori që e nxori letërsinë shqipe përtej kufijve. Veprat e tij u përkthyen në më shumë se 45 gjuhë dhe u lexuan në të gjitha kontinentet. Ai u nderua me çmimin prestigjioz “Man Booker International” në vitin 2005 dhe për dekada u përmend si një nga kandidatët më seriozë për Çmimin Nobel në Letërsi.

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Pallati i ëndrrave”, “Dimri i madh”, “Koncert në fund të dimrit”, “Spiritus” e dhjetëra romane, novela dhe ese të tjera mbeten sot pjesë e fondit më të çmuar të letërsisë shqipe. Në faqet e tyre Kadare ndërtoi një univers ku historia, miti, pushteti, liria dhe drama njerëzore bashkëjetojnë me një gjuhë që i reziston kohës.

Në këtë përvjetor të dytë të ndarjes së tij nga jeta vjen edhe një lajm i veçantë për lexuesit.

Botuesi i tij prej dekadash në gjuhën shqipe, Bujar Hudhri, njoftoi se, në bashkëpunim me trashëgimtaret e shkrimtarit, shtëpia botuese “Onufri” do të sjellë tre vepra të Kadaresë që nuk janë botuar më parë si libra më vete.

Në këtë ditë kujtese dhe nderimi, Onufri sjell për lexuesit tre krijime të Kadaresë, të cilët nuk janë botuar më parë si libër më vete. Ky botim shënon njëkohësisht edhe marrëveshjen e parë botuese me të tria trashëgimtaret e shkrimtarit, duke çelur një kapitull të ri në ruajtjen dhe përcjelljen e mëtejshme të veprës së tij“, shkruan Hudhri.

Ai e cilëson këtë botim më shumë sesa një projekt editorial: “Për ne, ky nuk është vetëm një botim i ri. Është një akt mirënjohjeje ndaj një autori që i dha letërsisë shqipe përmasë botërore, si edhe një përgjegjësi e veçantë ndaj lexuesve që vazhdojnë ta lexojnë dhe ta rizbulojnë Kadarenë, sidomos brezi i ri.”

Tre veprat që do të botohen për herë të parë si libra më vete janë: “Lamtumira e së keqes”, “Komisioni i festës” dhe “Legjenda e legjendave”.

Është një mënyrë simbolike për të dëshmuar se krijimtaria e Kadaresë nuk ka mbaruar me largimin e autorit. Edhe pas vdekjes, dorëshkrimet e tij vazhdojnë të dalin në dritë, duke i shtuar një tjetër kapitull trashëgimisë së shkrimtarit që e bëri Shqipërinë pjesë të hartës së letërsisë botërore.

Dy vjet pas ndarjes nga jeta, Ismail Kadare mungon fizikisht. Por veprat e tij vazhdojnë të jetojnë, të lexohen dhe të sfidojnë kohën. Sepse shkrimtarët e mëdhenj nuk maten me vitet që kalojnë pas ikjes së tyre, por me brezat që vazhdojnë t’i lexojnë. Dhe në këtë kuptim, Kadare nuk është vetëm një kujtim i madh i letërsisë shqipe. Ai mbetet një prani e përhershme.