Politikë

‘Mbylle gojën, legen’! Përplasje e ashpër te Reforma Zgjedhore: Ulsi Manja ofendon Ivi Kason në prani të kreut të SPAK-ut

Mbledhja e Komisionit për Reformën Zgjedhore ka degjeneruar në debate të ashpra dhe ofendime personale mes përfaqësuesve të maxhorancës dhe opozitës, nën praninë e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho.

Gjatë fjalës së tij, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, është përfshirë në një sherr verbal me përfaqësuesin e Partisë Demokratike, Ivi Kaso. Situata është tensionuar në momentin kur Manja i është drejtuar Kasos me gjuhë të ashpër dhe etiketime fyese.

“Pusho ti, qepe gojën, mbylle, dërr-dërr-dërr o legen!”, deklaroi Manja nga vendi.

Këto deklarata kanë sjellë reagimin e menjëhershëm dhe revoltën e deputetëve të opozitës të pranishëm në komision, të cilët kanë kërkuar ruajtjen e etikës parlamentare.

Përplasja e fortë ka ndodhur pikërisht gjatë seancës dëgjimore ku kreu i SPAK-ut po jepte llogari dhe po u përgjigjej pyetjeve të anëtarëve të komisionit, përfshirë edhe ato të deputetes Albana Vokshi lidhur me çështjen e patronazhistëve dhe hetimet e institucionit të akuzës mbi krimet zgjedhore.