Teksa në GJKKO po zhvillohet seanca në Themel, për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-deputeten Monika Kryemadhi, ish-bashkëshortët janë përfshirë në një debat i nxitur nga deklarata e Metës se nuk ka dijeni se çfarë ka bërë Kryemadhi. Po ashtu ish-presidenti deklaroi se ai nuk ka dijeni për mesazhet me Piro Xhixhon apo me Adrian Shatkun dhe tha se ky i fundit duhet të kishte ardhur për të dëshmuar.
“Nuk ekziston asnjëlloj ndikimi për Adrian Shatkun. As për askënd tjetër. Asnjë SMS për Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon. Edhe një interes që mund të ishte i ligjshëm. Kjo është histori UDB-je, edhe Adrian Shatku duhet të kishte ardhur këtu sapo dëgjoi emrin, se ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Adrian Shatku u largua në 1989, e mori UDB-ja, pastaj iku në Amerikë. Kjo është histori UDB-je dhe agjenturash greke. Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit, i di vetë ajo. Ato historitë e mesazheve i di zonja Kryemadhi,” deklaroi ai.
Kryemadhi u përgjigj duke thënë se ai merret me thashethemet e Tedi Blushit dhe ish-kreut të SPAK Altin Dumani.
“Boll se nuk është ashtu. Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?”, tha ish-deputetja.
Po ashtu Kryemadhi shpërthen dhe deklaron se ka 4 vite që duron Tedi Blushin dhe i drejtohet ashpër atij teksa dhe ai është prezent në sallë.
“Kam 4 vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh. Me llafet e këtij rrogëtari merresh ti?”,tha Kryemadhi drejtuar Blushit.
Pas debatit ka pasur ndërhyrje nga gjykata ku ka paralajmëruar palët se do t’i nxjerrë nga salla.
“Do ju nxjerr nga salla e gjyqit. Paralajmërojmë të pandehurën Monika Kryemadhi, nëse e përsërisni, do largoheni nga seanca dhe do gjobiteni”.
