Vala e të nxehtit me origjinë nga veriu i Afrikës do të vijojë të jetë e pranishme në vendin tonë të paktën deri në fund të javës.
Ndonëse intensiteti i saj nuk do të jetë i njëjtë si në Gadishullin Iberik apo Francë, në Shqipëri temperaturat e ajrit parashikohet të shënojnë deri në gjashtë gradë më shumë se mesatarja mujore.
“Për ditën e sotme dhe të nesërme pritet që vlera maksimale e temperaturës së ajrit të shkojë deri në 35 ndërkohë të premten pritet të shkojë serish 36 dhe fundjava deri në 36 kjo për zona e ulëta ku arrihen dhe vlerat më të larta
Kur i referohemi temperaturave 36 flasim për temperatura të matura në kushtet teknike, nuk marrim parasysh efektin urban apo faktor të jashtëm, në zona lokale arrin vlera më të shtuara. Qytetet që arrijnë vlera me të shtuara janë Tirana, Shkodra, Elbasani, Fieri, Berati”, tha meteorologia Anira Gjoni.
Freskinë sipas meteorologëve nuk do ta ndjejmë as mëngjeseve dhe mbrëmjeve.
“Shqetësim ka shfaq dhe temperatura minimale, duke qenë se nuk kanë zbritur nën 21 gradë celsius. Jemi mësuar me ndryshim të madh mes maksimales dhe minimales mbrëmjet janë më të freskëta dhe kanë pësuar rritje gjatë kësaj jave”, u shpreh Gjoni.
Me largimin e të nxehtit me origjinë nga Afrika futemi në muajin korrik kur vlera të tilla sipas meteorologëve parashikohet të enë normale për stinën.
“Ka dhënë një efekt të shtuar pavarësisht se ne ndodhemi në periferi ndikon edhe tek ne me rritjen e temperaturës ndërkohë që gradualisht I afrohemi muajit korrik dhe temperaturat 35 -36 janë të zakonshme për vendin tone.
Sigurisht dhe për korrikun pritet te kemi sërish prani të valëve të të nxehtit që japin vlerë të shtuar të ajrit, por ende shpejt per të folur për detaje teknike”, thekoi ajo.
Në zonat kodrinore dhe ato malore, të mërkurën dhe të enjten, meteorologët parashikojnë reshje lokale dhe shtrëngata, por që nuk do të ndikojnë në rënien e temperaturave.
Kjo valë e nxehtë e cila nga Europa Perëndimore po lëviz drejt asaj Qendrore ka goditur më fort vende si Spanja, Portugalia, Franca, Britania me temperatura rekord mbi 41 gradë celsius.
