Programi më i dashur i familjes, “E Diela Shqiptare” nis sezonin e ri në Tv Klan dhe nuk mund të mungojë një prej rubrikave më të dashura dhe që bashkon zemrat, “Ka Një Mesazh Për Ty”. Puntata e parë e këtij sezoni fillon me disa miq të veçantë që janë bërë pjesë e familjeve shqiptare përmes ekranit, “Familjen Kuqezi”. Genti Kame, Genti Hazizi, Erin Kujofsa dhe Alesia Xhemalaj hyjnë në studio për të mësuar misionin e bukur që i pret.
Një prej ndjekësve më të flaktë të serialit është Marvini, një djalë me sindromën Down. Ai di çdo batutë dhe nuk ka ditë që mos ta shohë e rishohë serialin. Por përpara se aktorët të takojnë Marvinin, do të dëgjojnë bashkë me publikun rrëfimin e Anilës, e cila sigurisht nuk e di që ata po e ndjekin.
Kur hyn në studio, Anila nis të tregojë se Marvini erdhi pas humbjes së djalit të parë gjatë lindjes. Gëzimi i ardhjes në jetë të djalit u errësua nga fakti që familja mësoi për trizominë e kromozomit 21.
Anila: 17 vite më parë, saktësisht më 06.02.2008, erdhi në jetën tonë një dritë që do të ndriçonte çdo cep të zemrës sonë. Ishte një gëzim i madh, me emocione të forta, por që do të pasoheshin me një tronditje shumë të fortë. Tre vite para se të lindja Marvin, kam lindur një djalë të cilin e humba pasi gjatë lindjes pati komplikacione kështu që shtatzëninë e dytë e ndoqa me një përkujdesje akoma edhe më të veçantë. Në muajin e shtatë të shtatzënisë, mjeku pa diçka shqetësuese në zemrën e djalit dhe më rekomandoi një vizitë te një kardiopediatre. Bëra vizitën dhe më tha që “nuk shikoj asgjë shqetësuese që të të penalizojë ty për të hequr fëmijën”. Erdhi momenti, linda. Marvi, duke qenë nën peshë dhe duke pasur problemin e zemrës, e futën në inkubator. Dolëm nga materniteti dhe na duhej të bënim vizitë për punën e zemrës. Takuam doktorin dhe sa pa djalin, tha “nuk ka problem, nuk është asgjë shqetësuese, çdo gjë rregullohet, por a keni bërë vizitë te gjenetisti?” Jo, i thashë. “Atëherë shkoni, bëni vizitën atje dhe unë këtu jam, s’ka problem”. Shkuam te gjenetisti dhe ai, me një cigare në dorë, para një fëmije që s’kishte mbushur as 40 ditë, me mënyrën e tij më të keqe të mundshme, tha “Down, mos e diskuto”. Të dy burrë e grua u pamë në sy duke menduar “po ky?”
Ardit Gjebrea: Ju e dinit çfarë ishte sindroma Down?
Anila: Absolutisht s’kisha dëgjuar ndonjëherë, s’e kisha idenë.
Ardit Gjebrea: Vërtet?
Anila: Absolutisht. Nuk njihja asnjeri që të kishte një të afërm me sindromën Down.
Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi në familje?
Anila: Familja po shkatërrohej. Im shoq dilte që pa gdhirë, shkonte në punë dhe vinte pas orës 12 të natës. Djalin s’e shikonte fare, as mua nuk më fliste. Përveç faktit që më përballi me sindromën e djalit, më duhej të kaloja edhe stresin që u krijua në familje. Shyqyr Zotit, gjërat u normalizuan. Ai nuk është se më bënte fajtore mua, thjesht nuk po pranonte dot realitetin.
Ardit Gjebrea: Si ndryshoi kjo situatë?
Anila: Çdo buzëqeshje e Marvit për ne ishte një fitore. Që në lindje na mësoi se ç’ishte dashuria, durimi, forca, shpresa.
