Policia e Gjirokastrës ka lënë të lirë 21-vjeçarin Boris Çenko, djalin e shefit të Krimeve në Komisariatin e Përmetit, Dhurim Çenko, i cili në mënyrë skandaloze kërcënoi ditën e sotme për shkak të detyrës gaztetarin Pirro Nase.
Në një reagim për mediat, blutë e Gjirokastrës bëjnë me dije se e kanë shoqëruar në komisariat të riun, por më pas e kanë lënë sërish të lirë, vetëm duke e proceduar penalisht.
“Strukturat e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, pas kallëzimit të bërë sot nga shtetasi Pirro Nase, 51 vjeç, banues në Gjirokastër, me profesion gazetar, se është fyer e kanosur nëpërmjet celularit, për shkak të detyrës, nga shtetasi Boris Çenko, kanë reaguar menjëherë duke shoqëruar në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, shtetasin Boris Çenko.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, duke u konsultuar dhe duke e vlerësuar rastin me prokurorin e gatshëm, proceduan penalisht shtetasin Boris Çenko, 21 vjeç, banues në Gjirokastër.
Materialet procedurale për rastin i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
