Kronikë

Protestat në Tiranë, Hita: Sulm i koordinuar ndaj bizneseve të turizmit, mbi 10 mijë llogari po publikojnë review negative

Mbi 10 mijë llogari në rrjetet sociale dyshohet se janë përdorur për të publikuar në mënyrë të koordinuar komente dhe vlerësime negative ndaj bizneseve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e turizmit. Fenomeni u bë publik nga kryepolici Skënder Hita, i cili zhvilloi një konferencë të posaçme për mediat, pas evidentimit të rasteve të lidhura me thirrjet për vendosjen e “review”-ve negative ndaj bizneseve.

Sipas Hitës, Policia e Shtetit e konsideron këtë një shqetësim serioz, pasi veprime të tilla mund të dëmtojnë jo vetëm aktivitetin e bizneseve, por edhe imazhin e Shqipërisë si një destinacion turistik i sigurt dhe mikpritës.

“Shqetësim serioz, për një veprimtari të dyshuar të koordinuar në hapësirën kibernetike. Kjo veprimtari rrezikon të dëmtojë jo vetëm biznese, por edhe imazhin e Shqipërisë si një vend i sigurt dhe mikpritës. Strukturat tona kanë evidentuar aktivitet të dyshuar të koordinuar në platformat online, që konsiston në publikimin masiv të komenteve dhe review negative ndaj biznese që ushtrojnë aktivitet në sektorin e turizmit. Administrimi i kallëzimeve dhe të dhënat japin indicie për ekzistencën e një rrjedhje llogarish. Brenda një periudhe këto llogari kanë publikuar në masë komente negative me qëllim dëmtimin e reputacionit të bizneseve shqiptare.

Mbi 10 mijë llogari me modele aktiviteti të dyshimtë. Ka llogari dhe me profile të rregullta që janë identifikuar. Janë evidentuar raste kur e njëjta llogari ka publikuar vlerësime negative për biznese në qytete, Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Korçë, Vlorë e Sarandë. Nëse provohet që është e qëllimshme, prek konkurrencën, besimin e konsumatorëve dhe perceptimin e Shqipërisë si një destinacion i sigurt. Çdo përpjekje për të cenuar interesin ekonomik të vendit do të trajtohet me prioritet maksimal. Kush ka kontaktuar raste të ngjashme, të paraqesë kallëzim në polici”, tha Hita.

Kryepolici theksoi se strukturat përgjegjëse po vijojnë hetimet për të identifikuar autorët dhe për të verifikuar nëse aktiviteti ka qenë i organizuar, ndërsa u bëri thirrje bizneseve që pretendojnë se janë dëmtuar nga këto praktika të paraqesin kallëzim pranë Policisë së Shtetit.