Aktualitet

Sara Mila e pandehur për krim zgjedhor? Klodiana Lala zbulon pse u thirr deputetja në SPAK

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, ka folur për paraqitjen e deputetes Sara Mila në SPAK.

Lala deklaroi se bëhet fjalë për në hetim që lidhet me korrupsionin në zgjedhje, por tha se Mila nuk ka një akuzë dhe se është thirrur si person në dijeni.

“Sara Mila është paraqitur në SPAK, për shkak të një hetimi që po kryhet për korrupsionin në zgjedhje. Është nisur nga Prokuroria e Elbasanit kjo çështje, e cila ka patur dyshime që zyrtarë kishin komunikuar dhe kishin rritur numrin e familjeve që trajtoheshin me ndihmë sociale. Në periudhën zgjedhore, ishte gati 3-4 fishuar numri i familjeve. Sipas dëshmive të zyrtarëve, këta persona jo vetëm nuk duhet ta përfitonin ndihmën ekonomike dhe bëhej për arsye politike, por një pjesë e tyre nuk gjendeshin në Shqipëri kur është bërë aplikimi. Janë zbuluar komunikime të zonjës Mila me punonjës të shërbimit social, dhe për shkak se Mila ka mandat, Prokuroria e Elbasanit e ka kalur në SPAK .

Materiali i Prokurorisë së Elbasanit thuhet se disa punonjës e kanë pranuar se kanë rritur numrin e familjeve. Njëri ka deklaruar, pretendon se e ka bërë me orientim të drejtoreshës së institucionit.  Ata që janë trajtuar me ndihmë ekonomike, nuk kanë shkuar fare të aplikonin por aplikonin vetë punonjësit e shërbimit social.

Prokuroria ka nisur hetimet. 7-8 muaj kur kanë përfunduar zgjedhjet dhe Mila ishte më e votuara.  Mila nuk ka akuzë zyrtare, është pyetur si person në dijeni.

Mila pretendoi se nuk ka asnjë lidhje me dyshimet për shit-blerje të votës, por tha se ishte aty për të vendosur dinjitetin e saj dhe në respekt të institucionit.

Por nuk ka dhënë përgjigje si ka siguruar mbi 18 mijë vota, kur dihet se nuk ka patur kontribut në rradhët e PS”, deklaroi Lala.