Përplasjet dhe tensionet brenda Partisë Socialiste vijojnë të shoqërohen me deklarata dhe mesazhe ironike në rrjetet sociale. Këtë herë në qendër të vëmendjes është ish-ministrja Elisa Spiropali, e cila ka reaguar me një postim që duket se i referohet drejtpërdrejt debatit të fundit për një përpjekje të pretenduar për puç ndaj pushtetit.
Spiropali ka publikuar një imazh të krijuar me Inteligjencë Artificiale, ku shfaqet e veshur si partizane, me flamuj kuqezi në sfond. Paraqitja e saj sjell ndër mend edhe figurën e revolucionarit kubano-argjentinas Che Guevara.
Fotografinë ajo e ka shoqëruar me një mbishkrim që ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale:
“Thanë puçi dështoi, por unë sapo kam nisur”.
Mesazhi shihet si një ironi ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit Edi Rama për armiqtë dhe përpjekjet e pretenduara kundër pushtetit.
Reagimi i Spiropalit vjen në një moment kur pakënaqësitë dhe përplasjet brenda kampit socialist po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Në këtë klimë tensionesh janë shtuar edhe reagimet e Erion Veliajt ndaj kryeministrit Rama, të cilin e ka akuzuar për persekutim politik.
Postimi i ish-ministres vjen kështu si një tjetër mesazh në sfondin e zhvillimeve dhe përplasjeve që kanë përfshirë Partinë Socialiste.

