Ministrja Delina Ibrahimaj në një konferencë për mediat bëri me dije se lufta në Lindjen e Mesme ka filluar të japë efektet e para edhe në çmimet e shportës ushqimore në vend, duke reflektuar rritje të ndjeshme në disa produkte bazë.
Sipas ministres, qeveria nuk ka mundësi të ndërhyjë drejtpërdrejt në përcaktimin e çmimeve, pasi ato varen nga kërkesa dhe oferta, por do të ndërmarrë kontrolle për të shmangur spekulimet.
“Unë nuk thashë ne do ndërhyjmë në çmime. E shpjegova dhe pse nuk aplikojmë dot të njëjtin mekanizëm sepse është e pamundur që ne të ndërhyjmë në çmime”, tha Delina Ibrahimaj.
Pjesë nga fjala e ministres:
Unë nuk thashë ne do ndërhyjmë në çmime. E shpjegova dhe pse nuk aplikojmë dot të njëjtin mekanizëm sepse është e pamundur që ne të ndërhyjmë në çmime.
Unë thashë që ne jemi duke i monitoruar me bazë ditore dhe do dalim për të verifikuar që këto çmime nuk janë abuzive dhe ajo që thashë është se në rast se do të kemi një ndikim të vazhdueshëm në çmimet e konsumit atëherë ne do suportojmë shtresa që nuk e përballojnë rritjen e çmimit, as për një periudhë të përkohshme pasi siç dihet luftërat fillojnë dhe mbarojnë.
Dhe fokusi ynë është te pensionistët.
Asnjëherë nuk e kam thënë që do të ndërhyjmë te çmimet, sepse e kemi të pamundur qoftë nga ekonomia që kemi ngritur ku çmimet përcaktohen nga kërkesa dhe oferta, ndryshe janë karburantet dhe ndryshe tregu i ushqimeve.
