Arsenal ka arritur një marrëveshje paraprake për transferimin e mesfushorit brazilian Bruno Guimaraesh nga Njukasëll, ndërsa kampionët e Premier Ligës kanë caktuar këtë javë që nis, për kontrollin mjekësor të lojtarit.
Sipas të përditshmes britanike “Daily Mail”, marrëveshja kap vlerën e 92.5 milionë eurove, bashkë me bonuse dhe klauzola shtesë. Ndërsa pagesa fikse është 82 milionë. Drejtuesit e “Magpies” kishin luftuar fort për ta mbajtur 28-vjeçarin, sidomos pas largimit të emrave të rëndësishëm si Tonali dhe Gordon, si dhe dorëheqjes së trajnerit Edi Hou. Megjithatë, këmbëngulja e Arsenalit rezultoi vendimtare.
Guimaraesh kishte bërë të qartë prej disa javësh dëshirën për t’u larguar, duke i informuar drejtuesit se synonte një transferim. Ai e përforcoi këtë qëndrim edhe duke refuzuar të udhëtonte me skuadrën në grumbullimin e La Mangas. Arsenali kishte tentuar ta transferonte Guimaraesh edhe në vitin 2022, kur ai ishte pjesë e Lionit, por në atë kohë Njukasëlli arriti ta fitonte garën për nënshkrimin e tij.
Fitues i Kupës së Ligës me Njukasëll në mars të vitit 2025 dhe pjesëmarrës me Brazilin në Kupën e Botës 2026, lojtari pritet të bëhet përforcimi i katërt i Arsenalit gjatë kësaj vere. Më herët, klubi londinez aktivizoi klauzolën për blerjen përfundimtare të mbrojtësit Piero Hinkapi nga Bajer Leverkusen, transferoi si lojtar të lirë portierin Illan Meslier dhe bleu anësorin grek Kristos Tzolis nga Bryzh për 36 milionë sterlina. Arsenali raportohet se nuk e ka mbyllur ende merkaton, pasi përveç zërave për Vinicius dhe ofertës prej mbi 100 milionë euro, “Topçinjtë” po punojnë edhe për afrimin e një tjetër lojtari.
Sipas raportimit të gjermanes “Fussballdaten”, në shënjestër është mesfushori defensiv japonez Kaishu Sano. Tashmë ka kontaktuar përfaqësuesit e tij për të diskutuar një transferim të mundshëm. 25-vjeçari i Mainz po ndiqet edhe nga Liverpuli, Totenhemi dhe Njukaëlli, pasi klubet angleze janë impresionuar nga aftësitë e tij në fazën defansive, cilësia teknike dhe energjia për të përshkuar distanca të mëdha gjatë ndeshjeve, sidomos në Botërorin e fundit. Mainz besohet se e vlerëson kartonin e Sanos mes 50 dhe 60 milionë eurosh, ndërsa futbollisti ka kontratë me klubin gjerman deri në vitin 2028.
Pas fitores 4-1 së miqësore me Gironan, Arteta refuzoi të komentojë mbi interesimin për lojtarë të veçantë, duke sqaruar se ideja e klubit është të vazhdojë përmirësimin. “Presim të ketë lëvizje në javët e ardhshme, natyrisht. “Ne duam të bëhemi më të fortë si çdo skuadër tjetër. Mjafton të shikoni çfarë po bëjnë kundërshtarët tanë… Por as ne s’do të rrimë duarkryq. Jemi shumë ambiciozë në atë që po bëjmë. Duhet të rrisim konkurrencën brenda skuadrës dhe të identifikojmë ato gjëra që ende na mungojnë”, deklaroi Arteta.

