Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Vorë, ku një vajzë 15-vjeçare dyshohet se është hedhur nga një lartësi pranë banesës së saj pas konflikteve të vazhdueshme në familje.
Adoleshentja u transportua menjëherë në spital, ku po merr ndihmë mjekësore dhe, sipas burimeve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në lidhje me rastin, policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë prindërit e së miturës, një çift bashkëshortësh, pasi dyshohet se ushtrimi i vazhdueshëm i dhunës psikologjike ndaj vajzës i ka krijuar asaj gjendje të rënduar emocionale, duke e shtyrë drejt aktit ekstrem.
Për shkak të gjendjes së saj psikologjike, hetuesit nuk kanë mundur ende të marrin dëshminë e 15-vjeçares.
Burime bëjnë me dije se babai i së miturës kishte dalë së fundmi nga burgu, ku kishte vuajtur një dënim për një tjetër rast të dhunës në familje.
Sipas deklarimeve të familjarëve, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve të vazhdueshme brenda familjes, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit.

