Kronikë

Sherri për një vajzë përfundon në tragjedi, humb jetën 24-vjeçari shqiptar në Itali

Një 24-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pasi u godit disa herë me thikë gjatë një konflikti të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Vescovato, një qytezë në provincën e Cremonës, në Itali.

Viktima është identifikuar si N.Dalipaj i cili, sipas mediave italiane, është goditur të paktën tri herë në pjesën e fytit. Edhe pse u transportua me urgjencë në spital në gjendje kritike, ai nuk arriti dot t’u mbijetojë plagëve.

Lidhur me ngjarjen, autoritetet italiane kanë ndaluar 32-vjeçarin Mattia Miraglia, banues në Vescovato dhe pa precedentë penalë. Bëhet me dije se, Eehe ai ka mbetur i plagosur dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spital. Ende nuk dihet lidhja e viktimës me autorin, dhe po shqyrtohet nga organet e drejtësisë.

Sipas hetimeve paraprake, konflikti dyshohet se ka pasur motive sentimentale, të lidhura me xhelozinë për një vajzë.

Mediat italiane raportojnë se përplasja mes dy të rinjve kishte nisur më herët gjatë mbrëmjes në një lokal në Cremona. Pas debatit, 24-vjeçari shqiptar, i shoqëruar nga vëllezërit e tij, shkoi pranë banesës së 32-vjeçarit në Vescovato.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, italiani ka dalë nga banesa i armatosur me një thikë. Fillimisht ai ka plagosur në bark një nga vëllezërit e viktimës dhe më pas ka goditur disa herë 24-vjeçarin shqiptar, duke i shkaktuar plagë fatale.

Karabinierët vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.