Sport

Firmos edhe për dy vite me Partizanin, analiza e liderit të “demave”: Dinamo luan futboll sulmues, shpresoj që…

David Atanaskoski ka konfirmuar lajmin e “Panorama Sport”, që do rinovojë për 2 vite të tjera me Partizanin. Mbrojtësi u intervistua nga “Sports.kz”, ndërsa interesi ishte te ndeshja Dinamo-Astana për turin e parë të Ligës së Konferencës.

Atanaskoski luajti për Shakter Karagandi në Kazakistan disa vite më parë. Dhe kjo është arsyeja përse kazakët kanë tentuar të marrin informacion prej tij.

David, si po kaloni te Partizani?
Përshëndetje. Te Partizani kushtet janë shumë të mira. Po presim me padurim të përgatitemi sa më mirë dhe të paraqitemi denjësisht në kampionat.

A e ndiqni kampionatin e Kazakistanit? Si e vlerësoni nivelin e tij aktual?
Po, e ndjek kampionatin e Kazakistanit, sepse kam luajtur në atë vend dhe kam shumë miq të mirë atje. Mendoj se niveli i kampionatit është i mirë dhe po përmirësohet nga viti në vit.

Në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, Astana do të përballet me Dinamo Siti. Çfarë mund të na thoni për këtë skuadër shqiptare?
Po, është e vërtetë që Astana do të luajë kundër Dinamos. Është një ekip shumë i mirë dhe i organizuar në mënyrë të shkëlqyer.

Çfarë futbolli luan ajo?
Dinamo Siti luan një futboll shumë të mirë sulmues.

Kush ju duket favorit në këtë çift, Astana apo Dinamo?
Mendoj se do të jetë një përballje shumë e bukur dhe interesante në dy ndeshje. Janë dy skuadra cilësore dhe u uroj suksese në të dyja takimet. Shpresoj shumë që të shohim dy ndeshje plot emocione dhe ngjarje, të cilat do t’i mbajnë tifozët në ankth deri në fund.

A keni pasur oferta nga klube kazake pas largimit tuaj?
Aktualisht nuk kam oferta nga klubet e Kazakistanit dhe po rinovoj kontratën time me Partizanin edhe për dy vite të tjera.

Po vetë, a do të dëshironit të riktheheshit në kampionatin e Kazakistanit?
Këtë e di vetëm Zoti. Tani jam i përqendruar te Partizani, më pëlqen gjithçka këtu dhe e respektoj shumë këtë klub. Nuk po mendoj për opsione të tjera. Së pari, të kemi shëndet, ndërsa çfarë do të sjellë koha, do ta shohim në të ardhmen.