Kristjan Asllani pritet të largohet nga Interi gjatë merkatos së verës, pasi dëshira e përbashkët e klubit dhe lojtarit është ndarja e rrugëve pas një periudhe disa vjeçare te zikaltërit.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare po ndiqet nga disa klube, ndërsa Beshiktashi dhe Kaljari konsiderohen aktualisht ndër pretendentët më seriozë për të siguruar shërbimet e tij.
Sipas raportimeve nga Italia, një zhvillim i rëndësishëm në merkato mund të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e Asllanit. Atalanta ka shfaqur interes për Xhanluka Gaetanon, mesfushorin e Kaljarit, për të cilin klubi sard po kërkon rreth 6 milionë euro nga Napoli për ta bërë transferimin përfundimtar.
Në rast se Gaetano largohet drejt Bergamos, drejtuesit e Kaljarit e shohin Asllanin si alternativën ideale për të plotësuar boshllëkun në mesfushë. Futbollisti shqiptar është i hapur ndaj një transferimi dhe konsiderohet një profil që përshtatet me projektin e klubit.
Edhe pse interesimi nga Beshiktashi mbetet konkret dhe është vlerësuar pozitivisht nga lojtari, dëshira e tij kryesore vazhdon të jetë qëndrimi në Serinë A, kampionat ku ka ndërtuar karrierën e tij në vitet e fundit.
Nëse transferimi te Kaljari realizohet, Asllani do të gjente aty edhe një tjetër futbollist shqiptar, portierin Alen Sherri, duke krijuar kështu një dyshe kuqezi në skuadrën sardine.
