Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar publikisht pas zërave që e lidhnin me një largim të mundshëm nga grupi parlamentar i PS-së, duke sqaruar se nuk ka ndërmend të bëhet deputet i pavarur apo të dorëzojë mandatin.
Përmes një reagimi të gjatë në rrjetet sociale, Braçe theksoi se mbetet pjesë e Partisë Socialiste, ku ka milituar që nga themelimi i saj, dhe se do të vazhdojë të ushtrojë mandatin e deputetit në Tiranë.
“Unë jam socialist, nuk bëhem i pavarur. Jam partizan, jo neutral, mbaj qëndrime, nuk dal mënjanë. Unë jam deputet i zgjedhur në Tiranë, nuk jam prej listës, kam bërë deputetin, bëj deputetin, do vijoj të bëj deputetin, nuk dorëhiqem. Do vijoj t’i rri përballë partisë sime, duke thënë të vërtetën, duke kërkuar llogari, kritikuar, debatuar, kundërshtuar, propozuar e miratuar aty, sy më sy dhe nga çdo cep i territorit që mbuloj si deputet”, shkruan Braçe.
Deputeti socialist ndalet edhe te zërat që e shohin larg Partisë Socialiste, duke i cilësuar të pabesueshme dhe në kundërshtim me gjithë historinë e tij politike.
“Askush nuk do ta besonte që po të ikja nga grupi i PS-së do isha i pavarur, edhe ata që ma shkruajnë këtë. Unë jam në PS prej themelimit, kam milituar në të për 35 vite, kam jetuar në të e punuar bashkë me të, kam bërë beteja aty e prej aty, si socialist, duke mbajtur qëndrime e pa qenë kurrë neutral, domethënë i pavarur”, shprehet ai.
Braçe vë theksin edhe te puna e tij si deputet, duke deklaruar se nuk ka ndërmend të largohet nga detyra dhe se do të respektojë besimin e qytetarëve që e votuan.
“Kam bërë deputetin, bëj deputetin e do vijoj të bëj deputetin, jo vetëm në Njësinë 5, por në të gjithë Tiranën. Nuk ka sot njeri në njësinë time që s’e di kë ka deputet. Nuk ka sot njeri në Tiranë që të mos dijë që unë jam deputet i këtij qarku. Nuk gjen njeri të thotë që deputeti nuk më ka ardhur në njësi, lagje, bllok, rrugë, rrugicë apo shesh poshtë pallatit. Pra kam bërë punën, bëj punën, do bëj punën, nuk dorëhiqem dhe do të respektoj 25 mijë njerëzit që votuan e më besuan këtë detyrë”, thekson ai.
Në fund të reagimit, Braçe lë të kuptohet se do të vijojë të jetë një zë kritik brenda Partisë Socialiste, por pa e braktisur atë.
“Do vijoj t’i rri përballë partisë sime për të vërteta që refuzon t’i shohë apo i ka jashtë çdo agjende për 1001 arsye, përfshi shpërfilljen, përjashtimin apo arrogancën. Kam hapësirën e mjaftueshme për ta bërë këtë pa asnjë rezervë, siç të shtunën, sy më sy me kryeministrin dhe qeverinë. Pra nuk kam nevojë të jem në protestën me 7-8 agjenda, disa primitive e shumë të rrezikshme për këtë vend, por e bëj përballë e sy më sy, duke qenë i përgjegjshëm, duke marrë e kërkuar përgjegjësi”, përfundon Braçe.
