Norvegjia konsiderohet si kombëtarja me më shumë gjasa për të surprizuar në Kupën e Botës 2026, sipas një analize të publikuar nga firma e monitorimit të medias dhe marrëdhënieve me publikun, APA-Comm.
Studimi është bazuar në përgjigjet e gjeneruara nga modele të ndryshme të inteligjencës artificiale, përfshirë ChatGPT, Google AI Mode dhe Perplexity, të cilat janë pyetur për skuadrat që mund të tejkalojnë pritshmëritë në turneun e ardhshëm botëror.
Sipas rezultateve, Norvegjia kryeson renditjen me 548 përmendje, duke lënë pas me një diferencë minimale Japoninë, e cila grumbulloi 547 përmendje. Në vendin e tretë renditet Maroku me 529 përmendje. Pesëshja e parë plotësohet nga Kolumbia dhe Ekuadori, ndërsa Austria pozicionohet në vendin e gjashtë.
Modelet e Inteligjencës Artificiale e vlerësuan Norvegjinë për cilësinë e lartë të lojtarëve dhe paraqitjet bindëse në ndeshjet kualifikuese. Sulmuesi Erling Haland konsiderohet si figura kyçe dhe arma kryesore e skuadrës skandinave në synimin për të bërë një paraqitje të suksesshme në Botëror.
Nga ana tjetër, Japonia është vlerësuar për disiplinën taktike dhe organizimin e saj në fushë, ndërsa Maroku vazhdon të shihet si një ekip i aftë për të sfiduar kombëtaret favorite, pas paraqitjeve mbresëlënëse në vitet e fundit.
Megjithatë, APA-Comm nënvizon se rezultatet e prodhuara nga Inteligjenca Artificiale duhet të interpretohen me kujdes. Sipas kompanisë, modelet gjenerative mund të ofrojnë përgjigje të paqendrueshme ose jo gjithmonë të sakta, ndaj analizat e tilla nuk duhet të konsiderohen si parashikime përfundimtare.
