Mijëra besimtarë nga e gjithë Shqipëria dhe trojet shqiptare janë mbledhur në Kishën e Laçit për të përjetuar Natën e Shenjtë të Shna Ndout të Padovës. Nën një atmosferë shpirtërore të thellë, kjo natë është kthyer prej vitesh në një nga kulmet e përjetimit fetar, ku lutjet, shpresa dhe devocioni i besimtarëve shndërrohen në një urë të gjallë komunikimi me shenjtin. Për shumë njerëz, kjo nuk është thjesht një natë rituale, por një përvojë personale shprese dhe besimi.
Në një intervistë të zhvilluar me Fra Landi Jaku, Këshilltar, Zëvendës ekonom i Kustodies, Guardian, Promovues për Baritoren e thirrjeve, Asistent lokal OFS ai theksoi domethënien e veçantë që ka kjo natë për shpirtin e popullit shqiptar. “Nuk është vetëm një pelegrinazh, është një thirrje që i bën zemra çdo njeriu për t’u afruar me Zotin përmes ndërmjetësimit të Shenjtit tonë,” u shpreh ai, duke vënë në dukje qetësinë dhe përkushtimin që ndjehet te çdo pelegrin. Për fratin, kjo është një dëshmi që besimi vijon të jetë gjallë e i fortë, pavarësisht sfidave të kohës.
Pelegrinët, shumë prej të cilëve kanë ecur këmbë nga larg, bartin me vete lutje për shërim, falje, mrekulli, dhe mirënjohje. Dritat e qirinjve, heshtja përballë figurës së Shenjtit dhe pëshpërimat në lutje tregojnë se kjo natë është shumë më tepër sesa një festë është një ngjarje që ushqen shpirtin dhe forcon ndërlidhjen me të shenjtën. Shna Ndou vazhdon të mbetet simbol i fuqishëm i shpresës për shqiptarët që besojnë te forca e mrekullisë dhe besimit të palëkundur.
