Politikë

“Poliçani foli, tani radha e çdo qyteti”/ Blushi kërkon ndryshim të hartës territoriale: 100 bashki për më shumë shërbime

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas zhvillimeve në Poliçan, duke e cilësuar ngjarjen si një mesazh për ndryshim dhe duke e lidhur atë me debatin për reformën territoriale.

Në një reagim në rrjetet sociale, Blushi u shpreh se ajo që ndodhi në Poliçan përfaqëson, sipas tij, një kërkesë për një përfaqësim më të afërt të qytetarëve dhe për fuqizimin e pushtetit vendor.

Ai kërkoi që çdo qytet dhe komunitet të ketë më shumë mundësi për zhvillim, shërbime më pranë banorëve dhe përfaqësim më të drejtpërdrejtë.

“Ajo që ndodhi në Poliçan nuk është thjesht një ngjarje politike. Është një mesazh i fortë për ndryshim. Respekt për çdo qytetar që vendos interesin e komunitetit mbi interesin partiak. Aty forcohet demokracia dhe fiton Shqipëria.”-tha ai.

Blushi kritikoi edhe reformën aktuale territoriale, duke e akuzuar atë se ka ndikuar në largimin e shërbimeve nga qytetarët dhe në dobësimin e komuniteteve lokale.

Sipas tij, alternativa e opozitës për krijimin e 100 njësive vendore synon një decentralizim më të madh dhe afrimin e administratës me qytetarët.

“Çdo qytet, fshat dhe komunitet meriton përfaqësim, shërbime dhe zhvillim. Decentralizimi i vërtetë dhe fuqizimi i pushtetit vendor janë rruga për të ndalur shpopullimin dhe për të zhvilluar ekonomitë lokale.”-shtoi ai.

Reagimi i Blushit vjen në një kohë kur reforma territoriale është rikthyer në qendër të debatit politik, pas propozimeve të opozitës për një ndarje të re me 100 bashki dhe 6 rajone.