Kulturë

Preç Zogaj: Faji dhe mëkati nuk janë e njëjta gjë, ja çfarë i ndan ato

Shkrimtari dhe poeti Preç Zogaj ishte i ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News, ku foli për përmbledhjen e tij më të fundit poetike “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, duke ndalur te kuptimi i titullit dhe raporti që nocioni i mëkatit ka me krijimtarinë dhe jetën e tij.

Gjatë bisedës, Zogaj shpjegoi se fjala “mëkat” e ka shoqëruar që në fëmijëri, pasi ishte një nocion që përmendej shpesh në familjen e tij, sidomos nga gjyshja. Sipas tij, mëkati nuk lidhet thjesht me një gabim apo shkelje, por me një marrëdhënie shumë më të thellë me ndërgjegjen dhe vlerat shpirtërore.

“Në thelb, fjala mëkat tek unë ka qenë ajo që thuhet edhe në librat e shenjtë. Nga gjyshja dhe familja ime përcillej ideja se mëkati lidhet me raportin ndaj urdhëresave të Zotit. Nuk është faj, nuk është gabim, është një raport shumë më i thellë.”-u shpreh Zogaj.

Më tej, ai bëri dallimin mes fajit dhe mëkatit, duke argumentuar se ndryshe nga faji, i cili mund të pranohet dhe të korrigjohet, mëkati mbetet një proces i vazhdueshëm i dialogut me vetveten.

“Faji është faj, sidomos kur është shkelje ligjore. Ndjenja e mëkatit është më shumë shpirtërore. Mëkati është një bashkëbisedim me vetveten. Edhe kur e pranon, nuk është se korrigjohet si faji. Është një raport që njeriu krijon me botën që e rrethon dhe me ndërgjegjen e tij.”-shtoi ai.

Zogaj e cilësoi poezinë si një udhëtim në botën e brendshme të autorit, ku përjetimet, kujtesa dhe reflektimet marrin formë përmes metaforave, duke i dhënë kuptim edhe konceptit të “mëkatit” që përshkon krijimtarinë e tij.