Vedat Muriqi po bëhet gati t’i japë lamtumirën Spanjës për t’u kthyer përsëri në Turqi, ku do të veshë fanellën e Fenerbahçes. Sulmuesi i Kosovës ka gjetur akordin dhe dy klubet gjithashtu kanë finalizuar marrëveshjen që do të bëjë atë pjesë të klubit të qytetit të Stambollit.
Akordi prej 15 milionë eurosh për futbollistin 32-vjeçar, ka bërë padyshim të lumtur Majorkën, e cila ka nevojë për të ardhura pas rënies nga kategoria për të rindërtuar grupin. Por të lumtur janë edhe te Lacio. Kjo, pasi transferimi i tij në Spanjë nuk ishte vetëm me pagesën e një shifre prej 8 milionë eurosh në vitin 2022.
Lacio asokohe ruajti të drejtën e 45% të vlerës së kartonit në shitjen e radhës të sulmuesit nga Majorka dhe tashmë do të përfitojë rreth 7 milionë euro nga ky transferim. Strategjia e ruajtjes së përqindjeve është bërë normalitet në futbollin e sotëm, ndërsa klubet shqiptare e mësuan shumë vonë këtë.
Shembulli më i mirë se si nuk duhet të veprosh edhe me përqindjet që të takojnë, ka ardhur pikërisht me Vedat Muriqin dhe ka lidhje me periudhën e tij në radhët e Teutës në Superiore.
Klubi durrsak, përveçse nuk vlerësoi siç duhej potencialin e tij dhe e dha edhe huazim te Besa, bëri një veprim shumë të pazakontë që e qan edhe sot e kësaj dite. Në momentin kur ndërpreu marrëveshjen e bashkëpunimit me Muriqin pas vetëm një sezoni, durrsakët i dhanë atij një dokument nëpërmjet të cilit hiqnin dorë nga çdo lloj përfitimi të mundshëm financiar prej lojtarit, duke e lënë plotësisht të lirë.
Kësisoj, Teuta nuk ka përfituar asnjëherë nga transferimet e lojtarit, meqë kishte hequr dorë prej përfitimeve financiare që mund të siguronte nga ai sipas përllogaritjes së të drejtës së “edukimit” të futbollistit për të cilin, duke përfshirë edhe transferimin e fundit, janë paguar më shumë se 50 milionë euro për kalimin e tij nga një klub në tjetrin.
