Kampionët e MLS, Inter Majemi, kanë luajtur dje ndeshjen e tyre të parë në stadiumin e ri “Nu Stadium”, që është plotësisht në pronësi të klubit me president Dejvid Bekam.
Mesi & Co. deshën ta inauguronin stadiumin e mbushur me një fitore, por përballë tyre kishin Austin dhe Myrto Uzunin të frymëzuar, të cilët nuk i lejuan që në fund ekipi vendas të merrte tre pikët.
Pikërisht sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte ai i cili zbërtheu herë pas here prapavijën e skuadrës kampione dhe rrezikoi me disa raste radhazi portën e Inter Majemit. Ai fillimisht tronditi shtyllën e portës me një goditje dënimi spektakolare që në minutën e 4-t të duelit.
SHIH VIDEON
Më pas Uzuni provoi nga jashtë zonës, me sferën që shkoi pak mbi kryqëzimin e shtyllave duke dëshpëruar sulmuesin. “Nuk ka mundësi!”, shihet teksa thotë Uzuni pas kësaj gjuajtje, duke komentuar fatin që nuk ishte me të në atë rast.
SHIH VIDEON
Ai ia doli që të bëhej protagonist me një asist, teksa në startin e pjesës së dytë dha pasimin për Nelson i cili shënoi golin e avantazhit të përkohshëm 2-1 për ekipin e Austin.
SHIH VIDEON
Megjithatë, në fund erdhi goli i Luis Suarez i cili iu shtua atij të Mesit në pjesën e parë, për të vulosur një barazim 2-2, që prishi disi festën e kampionëve në natën e ndeshjes së parë historike ne stadiumin e ri.
