Shkrimtarja dhe poetja Mimoza Ahmeti është bërë pjesë e spektaklit “Ferma VIP”, i cili ka startuar mbrëmjen e djeshme në televizionin kombëtar “Vizion Plus”, nën drejtimin e moderatores Arbana Osmani.
Moza, siç e thërrasin të gjithë njihet për spontanitetin dhe batutat pikante dhe ashtu ka nisur dhe në natën e parë të spektaklit.
Ajo duhet të zgjidhte një kafshë që duhet t’a shoqëronte përgjatë gjithë rrugëtimit të saj në fermë dhe mori një lepur. Kur Arbana po i kërkonte të hapte kutitë Moza u shpreh: “Unë mendova se kishte ndonjë burrë këtu”.
Ndërkohë, në rrjet janë bërë virale gjatë natës edhe të tjera deklarata spontane të Mozës, e cila kur ka mësuar se për darkë do të hanin groshë, ka pyetur drejtuesen e spektaklit nëse mund të thernin patën që kishin në Fermë.
Por kjo ishte vetëm një nga “perlat” e saj që rrjeti e ka kapur menjëherë. Kur të gjithë po prisnin konkurrentët që hynin një nga një, shkrimtarja shkoi në krevatin e saj dhe pasi u mbulua, tha se do të flinte sepse “ishte ngopur”.
Një moment kulminant që shkaktoi të qeshura në studio dhe mes vetë fermerëve, të cilët bashkë me Arbanën e lejuan të flinte, pavarësisht se spektakli ende nuk ishte mbyllur në natën e parë të tij.
