Sport

Lëvizja e parë e Lushnjës në merkato, Hyseni: Të luajmë futboll të bukur, e kapim “play off”- in

Lushnja ka realizuar afrimin e parë në merkaton e dimrit. Bëhet fjalë për mesfushorin Erald Hyseni. Beratasi ka firmosur një kontratë me verdhejeshilët deri në verën e vitit të ardhshëm.

Hyseni, edhe pse në moshën 25-vjeçare, ka patur eksperienca të rëndësishme në Superiore, teksa më herët ka luajtur me Luftëtarin dhe Egnatian. Gjithashtu edhe në Kategorinë e Parë me skuadra si: Tomorri, Skënderbeu dhe Besa e Kavajës. Tashmë, ai për herë të parë do të veshë fanellën e skuadrës së Lushnjës. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” mesfushori më i ri i Lushnjës u shpreh: “Kontakti nisi me drejtuesit dhe dëshira ishte e përbashkët për të bashkëpunuar. Kontrata im me Lushnjën është për një vit e gjysmë. Disa lojtar që janë në ekip i njoh mirë, pasi kemi luajtur si kundërshtar në vitet e fundit, madje për disa sezone radhazi. Por, edhe lojtarë, që kemi qenë në ekip së bashku, ku mund të përmend emra si: Haremi, Hida dhe Canka”, thotë fillimisht 25-vjeçari.

Synimi- Duke folur për gazetën, mesfushori tregon edhe synimet që ka me fanellën e Lushnjës. Ai kërkon që skuadra të luajë një futboll të bukur dhe të jenë në gjashtë ekipet më të mira në tabelë: “Synimi është që të grumbullojmë sa më shumë pikë duke luajtur një futboll të bukur. Të jemi në 5-6 ekipet më të mira në tabelën e Kategorisë së Parë. Mesazhi për tifozët është që të na mbështesin sa më shumë, pasi qyteti i Lushnjës e dashuron futbollin dhe është i lidhur me të. Ne shpresojmë t’ua shpërblejmë me futboll të bukur dhe me sa më shumë fitore”, deklaroi mesfushori i sapoardhur te skuadra e Lushnjës Erald Hyseni.