Florin Bratu pritet të prezantohet si trajneri i ri i Partizanit. Për herë të parë të kuqtë do të kenë një teknik nga Rumania në krye.
Një muaj më parë, Bratu ishte pranë firmës me Otelul Galati në elitën e futbollit rumun. Vetë trajneri fliste për të ardhmen, pasi nuk ia doli të bënte mrekullinë me Metaloglobus. Klubi rumun nuk ia doli të shmangte rënien nga kategoria.
“Kontrata ime po mbaron. Nuk e fsheh faktin se ka interes nga disa klube dhe kjo më gëzon. E nisa nga niveli më i ulët dy vite më parë, te CS Dinamo, me të cilin sigurova ngjitjen në Ligën 2 dhe arritëm rezultate të mira edhe në Kupën e Rumanisë. Më pas erdha këtu dhe drejtuesit e Metaloglobus më dhanë këtë mundësi.
Shanset ishin të vogla. Nuk e di nëse besoja 100% se mund t’ia dilnim. E dija që do të ishte e vështirë, por doja shumë të përmirësoja situatën e ekipit, e cila nuk ishte aspak e mirë pas 29 ndeshjeve. Skuadra kishte vetëm dy fitore”, u shpreh Bratu i cili nuk e shmangu dot rënien për Metaloglobus.
Më pas i pyetur direkt për interesimin nga Otelul, deklaronte: “Nesër kam një takim me drejtuesit e Metaloglobus. Ka bisedime dhe interes nga disa klube. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”.
