Sport

E papritur nga klubi i Superligës, largohet edhe drejtori sportiv pas sezonit të suksesshëm

Malisheva ka zyrtarizuar dy largime të rëndësishme pasi e mbylli si nënkampione. Fillimisht ndau rrugët me trajnerin Bylbyl Sokoli, tashmë edhe me Sami Borocin si drejtor sportiv.

Përpara është ndeshja e turit të parë të Ligës së Konferencës. Përballë do të jetë Vllaznia ku do të vijë edhe debutimi i Thomas Brdariç.

Njoftimi i Malishevës:  Klubi njofton se kemi përfunduar bashkëpunimin me Drejtorin Sportiv, z. Sami Boroci, pas një periudhe njëvjeçare shumë të suksesshme dhe të frytshme bashkëpunimi.

Gjatë këtij viti së bashku, z. Boroci ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin dhe forcimin e strukturës sportive të klubit tonë. Me profesionalizëm të lartë, përkushtim të vazhdueshëm dhe vizion të qartë sportiv, ai ka qenë një prej figurave në zhvillimin e ekipit dhe në arritjen e objektivave të vendosura në fillim të sezonit.

Nën angazhimin e tij, klubi ka përjetuar një nga periudhat më të suksesshme në historinë e tij, duke kulmuar me arritjen e vendit të nënkampionit të Kosovës, një sukses historik.

Përveç rezultateve në fushën sportive, z. Boroci ka kontribuar edhe në ndërtimin e një kulture profesionale brenda klubit, duke forcuar disiplinën, organizimin dhe frymën e punës ekipore, elemente që do të vazhdojnë të jenë bazë e rëndësishme për të ardhmen tonë.

Në emër të klubit, shprehim mirënjohjen më të sinqertë për gjithë punën, angazhimin dhe korrektësinë e treguar gjatë këtij bashkëpunimi. Kontributi i tij mbetet pjesë e rëndësishme e këtij suksesi të përbashkët. Sami Boroci do të mbetet gjithmonë i respektuar dhe i mirëpritur në familjen tonë sportive.

I urojmë suksese të mëtejshme në karrierën e tij profesionale dhe shpresojmë që rrugët tona të bashkohen sërish në të ardhmen. Faleminderit për gjithçka Sami!”