Sport

Flick konfirmon nevojën për përforcim në sulm: Te Barcelona duhet të bëjmë diçka

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka konfirmuar se klubi katalunas është në kërkim të një sulmuesi të ri para mbylljes së afatit kalimtar.

Sipas “SPORT”, tekniku gjerman ka shprehur besim të plotë te drejtori sportiv Deco dhe punën e tij në merkato, duke pranuar se Barcelona ka nevojë për një tjetër alternativë në repartin ofensiv.

“Kam besim të plotë te Deco. Duhet të bëjmë diçka”, është shprehur Flick, duke lënë të kuptohet se afrimi i një sulmuesi mbetet prioritet për klubin.

E ardhmja e Ferran Torresit mund të ndikojë gjithashtu në planet e Barcelonës, pasi sulmuesi vazhdon të lidhet me një largim të mundshëm nga “Camp Nou”.

Megjithatë, Flick ka theksuar se skuadra ka disa alternativa në repartin ofensiv. Lamine Yamal mund të përdoret edhe si “9 fals”, ndërsa Anthony Gordon dhe Karim Adeyemi mund të luajnë si në qendër të sulmit, ashtu edhe në krahë.

Në anën tjetër, pavarësisht mungesës afatgjatë të Frenkie de Jong për shkak të lëndimit, Flick ka përjashtuar mundësinë e transferimit të një mesfushori të ri.

Trajneri gjerman beson se Barcelona ka alternativa të mjaftueshme në mesfushë dhe ka bërë të qartë se përforcimi i sulmit mbetet objektivi kryesor i klubit deri në mbylljen e merkatos.