Sport

Interi ofron Kristjan Asllanin për Moussa Diabyn/ Shqiptari pranë largimit nga “San Siro”

Interi po shqyrton mundësinë për të përfshirë Kristjan Asllanin në një marrëveshje për transferimin e sulmuesit francez Moussa Diaby nga Al-Ittihad.

Sipas raportimeve të mediave italiane, klubi zikaltër i ka propozuar skuadrës saudite një ofertë prej 18 milionë eurosh, në të cilën do të përfshihej edhe kartoni i mesfushorit shqiptar.

Diaby, i cili raportohet se është i gatshëm të transferohet te Interi, konsiderohet një objektiv i rëndësishëm për repartin ofensiv të skuadrës italiane.

Ndërkohë, Asllani, 24 vjeç, është nën kontratë me Interin deri në vitin 2028, por e ardhmja e tij në klub mbetet e pasigurt. Mesfushori shqiptar nuk është përfshirë në kampin veror të skuadrës, duke shtuar zërat për një largim të mundshëm.

Sezonin e kaluar, Asllani ishte i huazuar te Besiktasi, por klubi turk nuk aktivizoi opsionin për blerjen e kartonit të tij dhe lojtari u rikthye te Interi.

Për mesfushorin e Kombëtares së Shqipërisë, i cili numëron 42 paraqitje dhe pesë gola me fanellën kuqezi, interesim kanë shfaqur edhe klube të tjera italiane, përfshirë Atalantën, Sassuolon dhe Cagliarin.

Nëse marrëveshja me Al-Ittihadin konkretizohet, Asllani mund të nisë një kapitull të ri në karrierë, duke kërkuar një skuadër ku mund të ketë më shumë hapësirë dhe një rol më të rëndësishëm.