Sport

Ferran Torres i hap derën largimit nga Barcelona/ PSG përshpejton negociatat për transferimin

Paris Saint-Germain ka përshpejtuar negociatat me Barcelonën për transferimin e Ferran Torresit, ndërsa në klubin francez ekziston optimizëm se marrëveshja mund të finalizohet gjatë kësaj jave.

Sipas gazetarit Matteo Moretto, PSG po punon për të arritur sa më shpejt një marrëveshje me Barcelonën për sulmuesin spanjoll.

Barcelona raportohet se kërkon të paktën 55 milionë euro për kartonin e Torresit, i cili ka edhe 11 muaj të mbetur në kontratën me klubin katalunas.

26-vjeçari thuhet se është i hapur për një largim nga “Camp Nou”, pasi nuk është ndier mjaftueshëm i vlerësuar nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.

Një faktor që mund të ndikojë në vendimin e Torresit është edhe mundësia e ribashkimit me Luis Enriquen, ish-trajnerin e tij te Kombëtarja e Spanjës dhe aktualisht trajner i PSG-së.

Vetë Torres ka pranuar se ende nuk e ka vendosur të ardhmen e tij. “Kam kontratë me Barcelonën, por në futboll nuk i dihet kurrë. Po pres të marr vendimin e duhur. Ende nuk e di”, ka deklaruar ai.

I pyetur për klubin e ëndrrave, sulmuesi spanjoll u përgjigj: “Ëndrra ime është të jem i lumtur”.

Torres iu bashkua Barcelonës në janar të vitit 2022 nga Manchester City dhe që atëherë ka qenë pjesë e skuadrës katalunase. Megjithatë, e ardhmja e tij tashmë duket e lidhur me një transferim të mundshëm në Paris.