Aktualitet

SEKUESTROJA E PASURIVE 4 MLN € NË VERONA/ Gjykata italiane liron pronat e familjes Çela, ngrihet padi ndaj Dumanit

Një çështje që nisi me një operacion të përbashkët mes SPAK dhe Guardia di Finanza në Itali ka marrë një zhvillim të ri pas vendimit për heqjen e sekuestros mbi pasuritë me vlerë rreth 4 milionë euro në Verona.

Në korrik të vitit 2025, autoritetet shqiptare dhe italiane sekuestruan një ndërtesë në rrugën Murari Bra, me rreth 30 ambiente tregtare dhe zyra, si dhe një kompleks në Nogarole Rocca.

Sipas dyshimeve të ngritura nga autoritetet shqiptare, këto pasuri ishin blerë nga kompania Meral Srl, në pronësi të familjes Çela, me të ardhura që dyshohej se vinin nga aktivitete të paligjshme, përfshirë trafikun e kokainës.

Por më 4 gusht 2025, gjyqtarja e hetimeve paraprake në Verona, Paola Vacca, vendosi anulimin e masës së sekuestrimit dhe rikthimin e pasurive te pronarët.

Sipas vendimit të gjykatës, dokumentet e paraqitura nga mbrojtja tregonin se blerja e pasurive ishte kryer me të ardhura nga aktivitete të ligjshme. Po ashtu, mbrojtja argumentoi se anëtarët e familjes Çela nuk rezultonin të dënuar në procese që kishin përfunduar me vendim penal.

Pas heqjes së sekuestros, përfaqësuesi ligjor i kompanisë Meral Srl depozitoi një kallëzim për kallëzim të rremë ndaj ish-kreut të SPAK, Altin Dumani.

Prokuroria e Veronës kërkoi fillimisht mbylljen e çështjes, por gjyqtari Enrico Zuccon vendosi që të kryhen verifikime të mëtejshme.

Hetuesit italianë pritet të shqyrtojnë dokumentacionin e dërguar nga autoritetet shqiptare, si dhe nëse Tirana kishte dijeni për vendimet e mëparshme të arkivimit të hetimeve ndaj familjes Çela.

Mbrojtja e Dumanit ka kërkuar sërish arkivimin e çështjes, duke pretenduar se kallëzimi synon të ndikojë në rolin e tij në hetime të tjera.

Për momentin procedura vijon të jetë e hapur. Prokuroria italiane ka një afat dy muaj për përfundimin e verifikimeve, ndërsa më pas palët do të dalin sërish para gjyqtarit për vendimmarrje.