Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht për zjarrin masiv që ka përfshirë zonën e Shkozetit, duke njoftuar bllokimin e qarkullimit të automjeteve në disa prej akseve kryesore rrugore në Durrës dhe duke u bërë apel qytetarëve të shmangin lëvizjet në zonë.
Sipas njoftimit të Policisë, për shkak të shpërthimit në magazinën e fishekzjarrëve dhe zjarrit që vijon në Shkozet, është ndërprerë qarkullimi në Unazën e qytetit, në mbikalimin e Shkozetit, në segmentin rrugor “Martin Camaj” në drejtim të Plepave, si edhe në segmentin rrugor Kavajë-Durrës.
Policia u kërkon drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve të përdorin rrugë alternative deri në normalizimin e situatës, ndërsa apelon të shmanget çdo lëvizje e panevojshme pranë perimetrit të zjarrit.
“Për shkak të zjarrit të rënë në zonën e Shkozetit, është bllokuar qarkullimi i automjeteve në Unazën e qytetit, në mbikalimin e Shkozetit, në segmentin rrugor “Martin Camaj”, në drejtim të Plepave, si dhe në segmentin rrugor Kavajë-Durrës.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, deri në normalizimin e situatës.
Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe strukturat e tjera përgjegjëse, ndodhen në terren dhe po punojnë për menaxhimin e situatës, shuarjen e zjarrit, garantimin e sigurisë dhe rikthimin e qarkullimit sa më shpejt të jetë e mundur.”-thuhet në njoftim.

