Politikë

Rama shkund partinë: Do të dëgjoni kryetarët e organizatave, ata i dinë shqetësimet! PS s’mund të jetë vetëm elektorale dhe t’i takojë njerëzit vetëm kur u kërkon votën

Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes me drejtuesit e qarqeve të PS-së dhe krerët e komisioneve parlamentare, i ka kërkuar Grupit Parlamentar, kabinetit qeveritar dhe kryebashkiakëve që të jenë më të angazhuar në terren.

Rama u bëri thirrje që të dëgjojnë problemet e qytetarëve, edhe nëse ata nuk janë votues të Partisë Socialiste. Kreu i qeverisë u bëri me dije zyrtarëve të lartë se duhet të dëgjojnë dhe të pyesin kryetarët e organizatave, pasi ata i njohin shqetësimet e qytetarëve.

Më tej, kreu i qeverisë theksoi gjatë fjalës së tij se PS-ja duhet të transformohet, duke iu përshtatur epokës së pritshmërive.

Rama: Grupi Parlamentar, kabineti, kryebashkiakët dhe i gjithë lidershipi i partisë në territore duhet të jetojnë me sensin e përparësisë së përditshme. Në epokën e mungesave, makineria jonë elektorale ka fituar sepse ka mobilizuar mirënjohjen për gjithçka që është bërë. Në epokën e pritshmërive, kjo makineri duhet të pësojë një transformim jetik.

Mirënjohja nuk është më elementi kyç dhe përballja me realitetin e ri të pritshmërive sapo ka filluar. Sot, skena është krejt tjetër. Detyra jonë nuk është ta mbrojmë makinerinë nga ajo çfarë ka rreth dhe jashtë saj, por ta shpëtojmë makinerinë nga vetvetja.

Respekti si gatishmëri për të dëgjuar, jo dëgjimi si pritje e radhës për të folur, por dëgjimi si puna e parë e partisë, si disiplinë e re, edhe kur nuk ka kamera, fushatë apo duartrokitje, edhe kur nuk ka simpatizantë. Do të dëgjoni kryetarët e organizatave, ata i dinë shqetësimet!

Empatia si angazhim për të ndërvepruar. Empatia është forcë që asnjë algoritëm nuk e prodhon dot. Njeriu që hap derën e hallit të vet të ka dhënë diçka shumë më të çmuar sesa vota, të ka dhënë besim. Duke të dhënë besim, të ka lënë në dorë edhe dinjitetin dhe halli i tij nuk është monedhë për kursin e këmbimit politik.

Solidariteti si ndihmë pa kusht. Partia dëgjon dhe i shërben kujtdo pa pyetur me kë je, kë ke qenë, çfarë ke bërë dikur, pa e pyetur për votën, madje pa e pyetur fare për politikën. Halli që hapet vetëm për tanët është derë që një derë mbyllet për të gjithë ne, PS.

Korrektesa si detyrim për të kthyer përgjigje. Mospërgjigjja duhet të shpallet e ndaluar në PS. Njerëzit nuk kërkojnë nga ne të themi me doemos po se e dinë që ne s’jemi zotërues të një çelësi magjik, por kërkojnë po, jo, kur sepse halli bëhet poshtërues kur nuk përfillet.