Aktualitet

Përplasja Ardit Bido-Arjan Çani përfundon në gjykatë! Deputeti i PS-së e kallëzon penalisht dhe i kërkon dëmshpërblim të majmë gazetarit (Video)

Përplasja e javëve të fundit mes deputetit socialist Ardit Bido dhe gazetarit Arjan Çani do të përfundojë në gjykatë. Lajmin e bëri të ditur vetë deputeti Bido përmes një postimi në Facebook.

Pas deklaratave të gazetarit Çani dhe akuzave të tij ndaj Bidos, ky i fundit, këtë të martë, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me një kallëzim penal. Gjatë një prononcimi për mediat, deputeti theksoi se moderatori ka shfrytëzuar hapësirën publike në media për të shprehur urrejtje ndaj kombit shqiptar.

Më tej, ligjvënësi socialist shtoi se nesër do të paraqesë një tjetër padi ndaj Çanit, përmes së cilës do t’i kërkojë 100 milionë lekë të vjetra dëmshpërblim për deklaratat e tij. Sipas Bidos, këto para do të shkojnë për banorët e Zvërnecit.

Kujtojmë se, pas deklaratave të Bidos se pas protestave qëndronin shërbimet informative greke, ku ai përmendi edhe emrin e Fredi Belerit, gazetari Çani nuk i kurseu akuzat dhe ofendimet ndaj deputetit socialist në emisionin e tij.

Bido: Më mirë vonë se kurrë. Arjan Çani do të përballet me drejtësinë shqiptare, gjë që duhej të kishte ndodhur prej vitesh. Tezat e tij antishqiptare nuk do të pranoheshin as në mediat greke, të cilat, pavarësisht patriotizmit progrek, nuk do të lejonin kurrë një person që shpalos urrejtje ndaj një kombi në mënyrë të vazhdueshme në televizion.

Sot bëra kallëzimin penal ndaj Arjan Çanit për të gjitha ato që ka deklaruar në mënyrë të papërgjegjshme, duke shfrytëzuar një pasuri kombëtare, siç janë mediat, të cilat janë licencuar brenda një kuadri frekuencash që ne kemi. Ai nuk e bën këtë në mënyrë private, por duke shfrytëzuar një pasuri kombëtare shqiptare.

Arjan Çani do të përballet me gjykimin, si edhe me një proces civil që do ta nis nesër, ku do të kërkoj dëmshpërblim prej 10 milionë lekësh të reja për shkak të deklaratave të tij; para që do të shkojnë për banorët e Zvërnecit.