Në prag të një sfide vendimtare për ecurinë e sezonit, Egnatia po mbyll përgatitjet për duelin ndaj Bylisit, i cili do të zhvillohet në Rrogozhinë. Një përballje që për vendasit merr rëndësi jetike, pasi çdo rezultat tjetër përveç fitores do të komplikonte ndjeshëm objektivin madhor: titullin kampion.
Atmosfera në kampin rrogozhinas është e përqendruar dhe e ngarkuar me përgjegjësi. Të gjithë janë të vetëdijshëm se ky është një nga ato momente të sezonit ku nuk lejohen gabime. Diferencat në krye të renditjes janë të vogla dhe çdo hap fals mund të ketë pasoja të pariparueshme në garën për titull.
PLANI I TETOVËS – Trajneri Edlir Tetova ka projektuar një strategji të qartë për këtë përballje, duke u bazuar jo vetëm te cilësitë e skuadrës së tij, por edhe te rrezikshmëria që paraqet kundërshtari. Ideja kryesore është që ndeshja të “zgjidhet” sa më herët. Egnatia do të tentojë të ushtrojë presion që në minutat e para, me synimin për të gjetur golin e avantazhit shpejt dhe për të mbyllur pjesën e parë në epërsi.
Gjatë seancave stërvitore të ditëve të fundit, fokusi ka qenë pikërisht te kjo qasje agresive në repartin ofensiv. Tetova u ka kërkuar lojtarëve intensitet të lartë, lëvizje të shpejta dhe konkretizim të rasteve që në fillim të takimit. Ideja është e thjeshtë: nëse arrijnë të kalojnë në avantazh herët, menaxhimi i lojës bëhet më i lehtë në vijim dhe presioni kalon te kundërshtari. Në të kundërt, nëse pjesa e parë mbyllet pa avantazh, ndeshja pritet të komplikohet ndjeshëm. Bylis njihet për disiplinën taktike dhe aftësinë për të shfrytëzuar kundërsulmet, çka e bën edhe më të rëndësishme një start të fortë nga vendasit.
SHIFRAT – Statistikat janë një tregues i qartë se sa vendimtare është pjesa e parë për Egnatian. Nga 11 raste kur skuadra rrogozhinase ka arritur të fitojë 45-minutëshin e parë, në 9 prej tyre ka marrë edhe tri pikët në fund të ndeshjes, ndërsa vetëm dy takime janë mbyllur në barazim. Kjo do të thotë se dominimi në pjesën e parë përkthehet pothuajse gjithmonë në sukses final. Nga ana tjetër, pesë fitoret e tjera kanë ardhur pasi pjesa e parë është mbyllur në barazim, duke treguar se skuadra ka kapacitet reagimi edhe në situata më të vështira.
Megjithatë, shifrat flasin qartë: kur Egnatia e nis fort dhe e mbyll në avantazh pjesën e parë, rezultati final është pothuajse i siguruar. Pikërisht për këtë arsye, theksi në këtë përballje është vendosur te 45 minutat e para. Një hyrje agresive, një gol i shpejtë dhe kontrolli i ritmit janë elementët kyç që mund t’i japin skuadrës së Tetovës avantazhin e shumëkërkuar.
