Sport

“E parashikuam rrezikun”, Orges Shehi pas barazimit në Vlorë: Ja pse e ndryshova Tiranën

Tirana u largua me 1 pikë nga transferta e Vlorës, pasi barazoi 1 me 1 ndaj Flamurtarit të vendit të fundit. Pas ndeshjes ishte Orges Shehi që tha fjalën e tij.

Trajneri i bardhebluve deklaroi:

“Duhet ta pranojmë rezultatin dhe pse na dhemb për mënyrën si shkoi dhe si u ndëshkuam. Ishim shumë pranë 3 pikëve dhe ndaj kundërshtarit direkt. Na dhemb, por duhet të shohim përpara.

Ne kishim menduar që t’i prisnim me bllok të mesëm dhe të shfrytëzonim thellësinë me Tabekun dhe Mehmetin. E nisëm lojën shumë mirë, në momente të caktuara duhet të mbanim pak topin në zotërim për të shkuar prapë në thellësi ose të ndryshonim krahun e lojës. Disa herë e bëmë, nxorëm Tabekun 1 kundër 1 ose në thellësi. Patjetër që kundërshtari sulmon me shumë forca, menduam për sistem tjetër duke përforcuar qendrën. Po ta shikoni pjesën e parë, Flamurtari gjithmonë kërkonte ose spondën me Bintsuën ose thellësinë me numrat 8. Kërkonim të merrnim masat. Na dhemb sepse atë rrezik parashikuam duke ndërruar sistemin dhe duke futur një lojtar tjetër si numër 6. Të ishte afër treshes së mbrojtjes për topat e ngelur. Kundërshtari kërkonte të merrte topin dhe të fuste krosime nga linja anësore. Aty ku kishim frikë, te topat e ngelur në zonë, dhe u ndëshkuam. Kundështari nuk kishte çfarë të humbiste. Menduam të bëjmë zëvendësim dhe për shkak të gjendjes fizike. Tabeku kthehet pas dëmtimi dhe bëri mirë. Bashkë me Albarez ishin ndryshime për arsye fizike.

Kur kishim topin, duhet të kërkonim ndërrimin e lojës me diagonale. Sidomos me mesfushorët, sidomos kur e merr topin Fredi. Në disa momente mungoi dhe pasimi i mirë. Ajo na solli vështirësi. Minutat e fundit mendon për mbrojtjen e rezultatit, jo për më shumë si për të qenë në zotërim të topit apo për të ndryshuar taktikisht.

Që të ruanim gjerësinë dhe t’i shkonim Kasës më shumë në mbulim, menduam të krijojmë me pesë. E thashë që kërkonim të kishim zonën afër portës me 3 qendra të forta. Për të dhënë gjerësi dhe për të shkuar në presion ndaj Kasës, por edhe për të mbuluar hapësirat nga krosimet që mund të bënte kundërshtari”, u shpreh Shehi për “RTSH”.