Propozimi i Partisë Socialiste për ndarjen e re territoriale ka shkaktuar reagime në Klos, ku qytetarë dhe punonjës të administratës vendore kanë dalë në protestë kundër planit që parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat.
Si shenjë kundërshtimi, administrata e Bashkisë Klos ka bojkotuar punën.
Ndërkohë protesta janë njoftuar edhe në Belsh dhe Prrenjas, bashki që me propozimin e mazhorancës pritet të shkrihen.


Sipas PS-së, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.
Bashkitë që do të shkrihen janë Fushe-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh e Përrenjas.
Projektligji përcakton se bashkia mbetet njësia bazë e qeverisjes vendore dhe do të përbëhet nga qytetet, të cilat do të kenë status të veçantë ligjor të rregulluar me ligjin për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor.
Çfarë ndryshon sipas draftit të PS-së?
Modeli i propozuar ruan bashkinë si të vetmen njësi të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill, një administratë dhe një buxhet të vetëm.
Në këtë mënyrë, skema aktuale “Bashki – Njësi Administrative” zëvendësohet me skemën “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”.
Në praktikë, 28 bashki konsolidohen në 13 bashki të reja.
Ky konsolidim e ul numrin e përgjithshëm të bashkive nga 61 në 46. Struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.
Bashkitë që bashkohen sipas propozimit të PS:
-Fushë-Arrëz + Pukë → Bashkia Pukë
-Klos + Mat → Bashkia Mat
-Rrogozhinë + Kavajë → Bashkia Kavajë
-Dimal + Berat + Poliçan → Bashkia Berat
-Patos + Fier → Bashkia Fier
-Divjakë + Lushnjë → Bashkia Lushnjë
-Selenicë + Vlorë → Bashkia Vlorë
-Maliq + Korçë → Bashkia Korçë
-Këlcyrë + Përmet → Bashkia Përmet
-Memaliaj + Tepelenë → Bashkia Tepelenë
-Libohovë + Gjirokastër → Bashkia Gjirokastër
-Cërrik + Elbasan + Belsh → Bashkia Elbasan
-Prrenjas + Librazhd → Bashkia Librazhd


