Në futbollin shqiptar është bërë pothuajse një shprehje e zakonshme: “Nuk ka ekip në Superiore pa 2-3 lojtarë që kanë dalë nga Bylisi”. Dhe kjo nuk është aspak rastësi. Klubi ballshiot ka qenë ndër vite një nga prodhuesit më të mëdhenj të talenteve dhe një nga skuadrat që ka realizuar më shumë transferime të suksesshme në tregun vendas.
Edhe pse sezoni i fundit u mbyll me zhgënjimin e rënies nga Kategoria Superiore, në Ballsh nuk po mendojnë vetëm për rikthimin e menjëhershëm në elitë. Drejtuesit e klubit po përgatiten të luajnë fort në merkato, me objektivin për të realizuar të tjera shitje të rëndësishme dhe për të vazhduar modelin që i ka karakterizuar në vitet e fundit. Mjafton të kujtojmë lëvizjet e fundit. Verën e kaluar Bylisi transferoi Ruçin te Egnatia, ndërsa në merkaton e janarit ishte ndër protagonistët absolutë në dalje. Malomo dhe Mustafa kaluan te Dinamo, Abazaj u transferua te Pogradeci, ndërsa Peralta veshi fanellën e Flamurtarit. Në fakt, mund të ishin realizuar edhe disa shitje të tjera, por duke qenë se skuadra luftonte për mbijetesën, drejtuesit vendosën të mos sakrifikonin më shumë elementë cilësorë, pavarësisht interesimit konkret dhe përfitimeve financiare që mund të siguronin.
Situata ka ndryshuar- Pas rënies nga Superiorja, shumë prej lojtarëve që kanë mbajtur peshën kryesore të ekipit gjatë sezoneve të fundit janë kthyer në objektiva të rëndësishëm për klubet e elitës. Emra si Përgjoni, Përndreca, Marku, Bruno, Kamara, Koxhi, Vieira, Ualison, Stoilov, Dimov apo Ozols do të gjenin vend në çdo skuadër të Superiores. Interesi nuk mungon. Sipas burimeve pranë klubit, skuadra si Vllaznia, Dinamo, Egnatia dhe Partizani kanë ndjekur nga afër disa prej futbollistëve të Bylisit. Megjithatë, synimi i drejtuesve duket edhe më ambicioz. Ballshiotët po punojnë që një pjesë e lojtarëve të transferohen jashtë Shqipërisë, duke përfituar nga bashkëpunimi shumëvjeçar me agjenci menaxheriale të rëndësishme në tregun europian të futbollit.
Optimizmi- Një tjetër arsye pse Bylisi mbetet optimist për të ardhmen lidhet me bazën e talentuar që ka ndërtuar. Gjatë sezonit të fundit minuta të rëndësishme morën futbollistë të rinj si Beqaj, Sahid, Adepoju, Akibu, Buraneli, Emini, Sulovari, P. Marku, Pjeshka, Baruti, Kampula, Radu, Fokam, Rabiu, Kane dhe Gabi. Kjo bën që klubi të ketë një bazë të konsoliduar për të nisur ciklin e ri. Ndryshe nga shumë rivalë të Kategorisë së Parë, Bylisi nuk pritet të përballet me një revolucion të plotë në organikë. Kontratat afatgjata të një pjese të mirë të futbollistëve i japin klubit një avantazh të rëndësishëm në ndërtimin e skuadrës për sezonin 2026-2027. Përzierja e lojtarëve me eksperiencë dhe e talenteve të rinj mbetet arma kryesore e mallakastriotëve. Aktualisht skuadra ndodhet në periudhë pushimi, e cila do të zgjasë deri në fund të muajit qershor. Më pas pritet të nisë puna për organizimin e sezonit të ri, ku objektivi kryesor nuk fshihet, rikthimi i menjëhershëm në Superiore.
