Përfundimi i sezonit 2025-26 ka lënë pas një shije të hidhur në kampin e Vllaznisë. Edhe pse kuqeblutë ishin pretendentët kryesorë për titull deri në javët e fundit të kampionatit dhe mbajtën gjallë ëndrrën e tifozëve për rikthimin e trofeut në Shkodër, në fund sezoni u mbyll pa asnjë sukses konkret. Një tjetër edicion ku Vllaznia mbetet pranë objektivit madhor, por pa mundur ta prekë atë. Megjithatë, përtej rezultateve sportive, ajo që ka tërhequr vëmendjen në ditët pas mbylljes së kampionatit është heshtja e klubit.
Në futbollin modern është bërë tashmë praktikë e zakonshme që pas përfundimit të sezonit klubet të publikojnë një analizë të shkurtër, një mesazh falënderimi apo një reflektim mbi rrugëtimin e skuadrës. Një komunikim që shërben jo vetëm për të bërë bilancin e vitit sportiv, por edhe për të respektuar tifozët që kanë qëndruar pranë ekipit gjatë gjithë sezonit. Në rastin e Vllaznisë, një gjë e tillë ka munguar plotësisht.
Kanë kaluar tashmë disa ditë nga përfundimi i kampionatit, ndërsa në faqet zyrtare të klubit janë publikuar vetëm njoftime që lidhen me rinovimet apo largimet e futbollistëve. Asnjë reagim për sezonin që u mbyll, asnjë analizë për objektivat e humbur dhe asnjë mesazh drejtuar tifozërisë shkodrane. Kjo mungesë komunikimi ka sjellë jo pak diskutime mes mbështetësve të skuadrës.
Në fund të fundit, tifozët e Vllaznisë kanë qenë ndër asetet më të mëdha të ekipit edhe në këtë sezon, duke mbushur stadiumin dhe duke e ndjekur skuadrën kudo, pavarësisht rezultateve. Ata ishin pranë ekipit në momentet më të mira, por edhe në ato më të vështira, duke mos e kursyer asnjëherë mbështetjen për ngjyrat kuqeblu. Pikërisht për këtë arsye, një falënderim i thjeshtë apo një mesazh reflektimi nga ana e klubit do të ishte minimumi i pritshëm.
Jo domosdoshmërisht për të justifikuar dështimin në garën për titull, por për të treguar respekt ndaj një tifozerie që vazhdon të besojë dhe të mbështesë ekipin pa kushte. Në një kohë kur komunikimi me tifozët është bërë pjesë e rëndësishme e futbollit modern, heshtja e Vllaznisë pas mbylljes së sezonit mbetet një detaj që nuk ka kaluar pa u vënë re.
