Mario Mitaj është shumë pranë rikthimit në futbollin evropian. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare pritet ta vazhdojë karrierën në Serinë A, pasi Xhenoa ka arritur marrëveshjen me Al Itihad për huazimin e 22-vjeçarit, me opsion blerjeje në përfundim të sezonit.
Lajmi është konfirmuar edhe nga gazetari i njohur i merkatos, Fabrizio Romano, sipas të cilit Mitaj do t’i bashkohet skuadrës së drejtuar nga Daniele De Rosi, duke nisur aventurën e tij të parë në elitën e futbollit italian.
Xhenoa e kishte vendosur shqiptarin në krye të listës së objektivave për krahun e majtë të mbrojtjes, duke i dhënë përparësi ndaj Antonino Galos të Leçes dhe Bredli Lokos të Brestit. Klubi ligurian fitoi gjithashtu konkurrencën me Porton, që gjithashtu kishte shfaqur interes për shërbimet e Mitajt.
Sipas raportimeve, vetë futbollisti ka pranuar të ulë një pjesë të pagës së tij për të bërë të mundur transferimin në Serinë A, një lëvizje që tregon dëshirën e madhe për t’u rikthyer në futbollin e nivelit më të lartë në Evropë.
Mitaj e nisi karrierën te AEK Athinë, përpara se të transferohej te Lokomotiva e Moskës. Në verën e vitit 2024 ai firmosi me Al Itihad në Arabinë Saudite, ndërsa gjatë kësaj periudhe emri i tij është lidhur edhe me klube prestigjioze si Juventusi dhe Roma. Tashmë, mbrojtësi kuqezi duket gati të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij me fanellën e Xhenoas.

